Kulturë

Çelësat për një martesë të suksesshme

Mbase ju jeni si unë dhe gruaja ime Barbara. Shumë kohë para se të martoheshim menduam se çfarë do të ishte martesa. Ne sollëm me vete pritjet tona, të cilat shkaktuan zhgënjim në martesën tonë.
Ndonjëherë çiftet martohen pa ditur çfarë të presin dhe sigurisht habiten kur zbulojnë se nuk e njohin partnerin e tyre aq mirë sa ç’mendonin se e njihnin.
Çiftet e fejuara janë në dashuri me romancë, sepse gjërat ecin siç duan ata. Është një kohë e veçantë. Ata nuk duan të mërziten me fakte të dukshme që tregojnë se mund të ketë probleme më vonë. Shumë çifte mendojnë se martesa premton argëtim që nuk do të mbarojë kurrë.
Por ëndërrat e kohës së fejesës shndërrohen shpesh në makthe reale. Egozimi fillon ta nxjerrë marrëdhënien nga romanca përmes gjërave “të vogla”, por domethënëse. Të themi të vërtetën, që të gjithë jemi egoistë! Ne sapo kemi mësuar disa mënyra që na bëjnë të duket se ndjekja e rrugës sonë është diçka e arsyeshme.
Përsa i përket egoizmit, fëmijët janë shembull i shkëlqyer për t’u vëzhguar. Ata e tregojnë shumë hapur atë që duan. Janë qendra e botës së tyre dhe, nëse do të ishte në dorën e tyre, ajo botë do të rrotullohet rreth tyre. Nëse ata nuk janë duke marrë vëmendjen e plotë të nënës, do t’ia bëjnë shpejt të ditur këtë gjë.
Nëse ata nuk marrin atë që ndiejnë se duhet të marrin, do të ndihen shpejt edhe për këtë. Sigurisht, më vonë ata rriten dhe kuptojnë se bota nuk rrotullohet rreth tyre. A e kuptojnë vërtet? Mos duhet të themi: “A e mësojmë se bota nuk rrotullohet rreth nesh?”
Martesa në të vërtetë është një bashkim i dy njerëzve të papërsosur, mjaft të ndryshëm. Si vijon do të shqyrtojmë disa prej ndryshimeve ndërmjet burrave dhe grave. Do të shikojmë edhe marrëdhënie me konceptin 50/50 në martesë, trysnitë kulturore kundër të qenit një dhe disa shkaqe të izolimit ose divorcit emocional.
Ndryshimet midis burrave dhe grave 
 
Ndryshimet mund të zukatin në veshët tanë ashtu si mizat gjatë verës, duke kërcënuar ta shkëputin marrëdhënien tonë nga dashuria e saj e paqtë dhe pranuese.
Sem Livinsoni thotë: “Dashuria me shikim të parë është e lehtë për t’u kuptuar, por vetëm kur dy njerëz kanë qenë duke e parë njëri-tjetrin për një jetë të tërë, ajo shndërrohet në një mrekulli!” Dikush tjetër ka thënë: “Dashuria është e verbër, por martesa të hap sytë.” Pasi kalojmë muajin e mjaltit, të gjitha ato ndryshime, ato “zbulime”, fillojnë të ndikojnë në martesën tonë.
Për ironi, ndryshimet janë shpesh ato cilësi të mrekullueshme që na tërhoqën tek partneri/ja kur dilnim bashkë gjatë kohës së njohjes. Ai ishte i hapur, ajo ishte e turpshme; ai ishte dorëlëshuar (shpenzoi shumë para për të), gjë që e bëri atë të ndihej e veçantë, sepse ajo ishte koprace; ai ishte punëtor i madh, ajo ishte impulsive dhe i kishte qejf zbavitjet. Të kundërtat tërhiqen, është njësoj si tek parimi i magnetit.
Por kur merr fund muaji i mjaltit dhe realiteti zë vendin e vet, ato veçori tërheqëse shndërrohen shpesh në dallime apo dobësi acaruese. Po ato gjëra që fillimisht na tërhoqën drejt partnerit, tani na largojnë apo na acarojnë.
Po, po të doni besojeni, po të doni jo, Perëndia i krijoi burrin dhe gruan të ndryshëm . . . mashkull dhe femër. Mosmarrja parasysh dhe mosvlerësimi i këtyre ndryshimeve mund ta shpjerë një çift në ndarje. Le të shikojmë disa prej këtyre ndryshimeve, por, përpara se të fillojmë, mbani mend se këto ndryshime janë të vërteta për rreth 80 % të njerëzve.
Për të parë ndryshimet ndër sekset, mund të shohim përsëri tek fëmijët. Ata janë tërësisht vetja e tyre, shumë të natyrshëm dhe nuk shtiren. Le të shkojmë tek këndi i lojërave të shkollës. Aty është një kuadrat me rërë, disa lisharëse dhe një lodër e madhe. Ka fëmijë që vrapojnë dhe luajnë kudo. Po t’i vëzhgoni për pak kohë, do të shihni një ndryshim shumë interesant ndërmjet sekseve. Kush po flet më shumë? Vajzat. Kush po imiton gjithë zhurmat e veçanta, si ….. “brrr, bum, ah, brram”? Djemtë.
Ajo që mund të mos dini është se komunikimi për gratë është shpesh i gjithi gojor (i folur), kurse për burrat, komunikimi mund të jetë vetëm 60 % gojor. Kjo do të thotë se, nëse një burrë mesatarisht përdor rreth 12 mijë fjalë në ditë, një grua përdor rreth 25 mijë fjalë. Ky është një ndryshim i madh! Pra, ja pse shumë burra nuk duan të flasin kur kthehen në shtëpi në mbrëmje. Tashmë i kanë përdorur 12 mijë fjalët e tyre.
Një tjetër drejtim ku ne ndryshojmë është të menduarit. E keni dëgjuar ndonjëherë më parë këtë bisedë: Një burrë i kërkon gruas së tij mendim për një vendim që ata duhet të marrin. Ajo i jep një mendim dhe ai përgjigjet: “Pse mendon se duhet të veprojmë në këtë mënyrë?” Ajo i përgjigjet: “Eh, nuk mund ta them me saktësi pse, por mendoj se kjo është gjëja e duhur.” Ai thotë: “Mund të jetë gjëja e duhur, por a nuk mund të më tregosh se si arrite në këtë përfundim?”
Burrat janë të prirur të jenë më shumë ndjekës të një vije të drejtë në proceset e tyre të të menduarit, kurse gratë priren të jenë më intuitive. Kjo shpjegohet kështu: Një grua mendon si kompjuter. Ajo hedh brenda të gjitha të dhënat, të cilat përpunohen diku dhe shumë shpejt ju shikoni përgjigjen në ekran. Një burrë ngjan më shumë me një makinë llogaritëse. Ai vepron duke hedhur çdo të dhënë në makinën llogaritëse dhe shtyp butonin e barazimit pas çdo pjese që shton…pastaj nxjerr nënshumën ….pastaj shumën e përgjithshme. Ai mund t’ju tregojë me saktësi se si mbërriti në këtë zgjidhje.
Ne do të shohim se pse moskuptimi i këtyre ndryshimeve mund të shkaktojnë shqetësim në martesat tona. Ndryshime të tjera janë: Gratë kanë prirje të jetojnë më gjatë se burrat. Burrat janë fizikisht më të fortë dhe më muskulozë sesa gratë. Burrat zakonisht mendojnë me hemisferën e majtë të trurit, ndërsa gratë mendojnë me të dyja hemisferat.
Dr. Riçard Restak, neurolog në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Xhorxhtaunit, thotë: “Aftësitë verbale dhe hapësinore tek djemtë orvaten të paketohen në hemisfera të ndryshme: hemisfera e djathtë përdoret për detyra joverbale, e majta për detyra verbale, kurse tek vajzat aftësitë verbale dhe joverbale ka të ngjarë që të gjenden në të dyja anët e trurit.”
Ne duhet të mos harrojmë se këto ndryshime na japin një pasuri në martesë, të cilën nuk mund ta arrijmë në asnjë mënyrë tjetër. Nëse themi se ato nuk ekzistojnë apo përpiqemi që t’i bëjmë të dy sekset të sillen në të njëjtën mënyrë, kufizojmë gjithçka që synoi Perëndia kur na krijoi mashkull dhe femër.
Çiftet tregohen të mençura kur respektojnë ndryshimet e tyre, të cilat i ka dhënë Perëndia. Ata duhet të tregohen të kujdesshëm që të mos fillojnë të shkojnë secili në drejtime të ndryshme.
Kur çiftet fillojnë të shkojnë secili në rrugë të ndryshme, kemi të bëjmë me një gabim të rëndë. Ai takohet me shokët për t’u zbavitur me gjërat që i pëlqejnë më shumë dhe e lë gruan të takohet me shoqet e saj për t’u zbavitur me gjërat që i interesojnë asaj. Kjo është një formulë për shkatërrimin e martesës. Nëse dikush që i takon seksit tjetër takohet me ndonjërin prej jush në kohën e veprimtarive të preferuara çlodhëse, ka rrezik që ju të
bini në dashuri me atë person. Ju duhet të dëshironi të jeni me partnerin tuaj atëherë kur kënaqeni më shumë.
Si përmbledhje, ne do të shprehim dashurinë dhe përkushtimin tonë, duke përmbushur në mënyrë joegoiste nevojat e partnerit. Kjo mund të kërkojë mundim dhe madje sakrificë. Sa më shumë që ikin vitet në martesë, aq më shumë e kuptojmë se një martesë e suksesshme nuk është një marrëdhënie – unë bëj gjysmën time, ti gjysmën tënde.
Marrëdhënia 50/50 
 
Bashkëshortët dhe bashkëshortet kanë pritje lidhur me mënyrën se si do të drejtohet shtëpia. Nëse do të shkonit në qytet dhe do t’u bënit një pyetje çifteve të fejuar: “Kur të martoheni, si do t’i ndani gjërat që do të bëjë secili?”, shumë prej tyre do të përgjigjeshin: “Ai do të bëjë gjysmën e tij dhe unë gjysmën time.” A nuk ju tingëllon kjo si diçka e njohur?
Shumë martohen me po këtë pritje. Kjo quhet një marrëdhënie 50/50. Megjithëse tingëllon mirë për here të parë, nuk do të funksionojë. Le të shikojmë disa arsye. Më së pari, kjo ndodh, sepse pranimi i kësaj lloj marrëdhënieje mbështetet tek zbatimi. “Bëj ti gjysmën tënde, PASTAJ do të bëj unë timen.” Të jetuarit bashkë shndërrohet në diçka që bazohet tek merita. Jepet ngrohtësi atëherë kur unë e ndiej se ti e meriton. Motivi i kësaj marrëdhënieje janë ndjenjat dhe ne të gjithë e dimë sesa shpejt ndryshojnë ato!
Së dyti, si mundet që njëri bashkëshort të bëjë vetëm 50%? Fatkeqësisht, një person, i cili pranon të na takojë në gjysmë të rrugës është shpesh një gjykatës i keq për çështjet e largësive! Nga ana jonë, ne do të bëjmë gjithmonë më shumë. Mbase ju e keni luajtur këtë lojë në shtëpinë tuaj. Ajo quhet: “Kush e ka kaluar ditën më keq?” dhe vijon si më poshtë:
Burri kthehet në shtëpi pas punës dhe fillon t’i tregojë gruas se si e ka kaluar ditën. Ishte një projekt i madh, i cili dështoi. Ai pati një mosmarrëveshje me drejtorin dhe ai kompjuter nuk resht asnjëherë së menduari për të gjetur mënyra të reja që ta torturojë atë! Ai i thotë asaj se e ka bërë tashmë 50% -shin e tij dhe gjatë mbrëmjes do të përqendrohet vetëm tek ndeshja e futbollit.
Që të mos mbetet më prapa, gruaja fillon të tregojë për ditën e saj. Lavatriçja u prish pasi u mbush plot me ujë. Fëmijët kanë qenë duke u grindur këto tetë orët e fundit. Makina e ka bërë prapë atë zhurmën. Dhe më në fund, asaj i ka ardhur edhe bashkëshorti me ankesat e tij, me të cilin ajo do të kalojë mbrëmjen. Ajo thotë: “Edhe unë e kam bërë 50%-shin tim dhe nëse do ndonjë gjë për të ngrënë, do të hamë gjellën që ka mbetur nga dje!!”
Në një marrëdhënie 50/50 asnjëri prej bashkëshortëve nuk e dëgjon me të vërtetë tjetrin. Ne vetëm përpiqemi të bindim njëri-tjetrin se cili ka bërë më shumë.
“Nëse unë bëj më shumë, atëherë edhe ti duhet të bësh më shumë.” Ne përqendrohemi në detyrat tona vetjake, në vend që të punojmë së bashku për të mbaruar punët.
Një arsye tjetër që kjo lloj marrëdhënieje nuk do të funksionojë është se ajo bën që ne të përqendrohemi në dobësitë e bashkëshortit. Ai nuk e bëri pjesën e tij. Zhgënjimi nga sjellja e bashkëshortit tim më paralizon dhe unë nuk bëj më atë që po bëja. Bëhemi shumë kritikë ndaj partnerit.
Shumë martesa shkatërrohen në këtë pikë, sepse çiftet nuk e dinë përgjigjen që i çliron nga kjo rutinë. Disa arsye pse këndvështrimi 50/50 është i destinuar të dështojë, janë:
• Paaftësia ime për të përmbushur pritje joreale
• Nuk ke mundësi për të kuptuar se secili e ka bërë pjesën e vet dhe takohemi në gjysmë të rrugës
• Prirja ime për t’u fokusuar në dobësitë e bashkëshortit
• Zhgënjimi nga bashkëshorti im, i cili paralizon sjelljen time
• Dëshira ime për t’u hakmarrë kur gjërat bëhen gabim
Një martesë e suksesshme nuk është një marrëdhënie 50/ 50. Në të vërtetë, ajo është një marrëdhënie 100/100, megjithatë, ky nuk është mesazhi që jep kultura jonë. Pse është kultura jonë kaq shumë kundër unitetit?
Trysnitë kulturore kundër unitetit Gjithësecili dëshiron unitetin në një marrëdhënie. Sidoqoftë, pak çifte janë të afta të ndërtojnë intimitet për një kohë të gjatë në marrëdhënien e tyre.
Hapi i parë në ndërtimin e një marrëdhënieje me unitet është të kuptojmë se pse kaq shumë marrëdhënie po përpëliten apo po dështojnë.
Askush nuk dëshiron të jetë fatkeq. Pra, si shndërrohet dashuria në vetmi brenda një marrëdhënieje? Së pari, thelbi i problemit nuk është divorci ligjor. Dikush ka thënë se divorci është veç një ceremoni mortore për një marrëdhënie të vdekur.
Vetëkënaqësia matet me standardin kulturor që ka shumica e njerëzve. Shumë shpesh një burrë apo një grua mendon: Si do të ndikojë kjo tek unë? Çfarë do të fitoj unë nga kjo?
Unë kam të drejtat e mia! Ne kemi arritur të besojmë se e meritojmë të jemi të lumtur dhe, nëse nuk jemi, atëherë është dikush që e ka fajin. Dhe cili është më i afërti për t’u fajësuar në martesë? Bashkëshorti/ja.
Financat janë një burim i mundshëm telashesh. Pyetësorët tregojnë se paraja është numri “një” i grindjeve dhe i konflikteve në martesë. Dhe po të doni besojeni, po të doni jo, por paraja është e dhimbsur për gjithsecilin. Është ironik fakti që, kur një çift lejon që paraja të vrasë marrëdhënien e tyre, ata shpesh përfundojnë duke paguar më shumë.
Është një histori për një burrë, i cili lexoi një njoftim në një gazetë se shitej 5 dollarë “një Mercedes pothuajse i ri”. Ai mendoi se do të ishte ndonjë shaka, mirëpo kureshtja e mposhti dhe ai telefonoi në numrin që ishte lënë për këtë punë. Zonja që u përgjigj në telefon e konfirmoi njoftimin, kështu që ai pyeti nëse mund t’i hidhte një sy makinës. “Patjetër!” – u përgjigj ajo.
Ai shkoi të shikonte Mercedesin dhe nuk pa asnjë defekt. “A jeni e sigurt se doni vetëm 5 dollarë?” – e pyeti ai.
“Po, kaq dua.” – u përgjigj ajo. Kështu ai i dha 5 dollarë dhe mori dokumentat e makinës. Ndërsa po bëhej gati për t’u nisur, e pyeti: “Nëse nuk ju vjen keq, dua t’ju pyes se si mund ta shisni Mercedesin tuaj për 5 dollarë?”
“Oh, nuk është makina ime,” – u përgjigj ajo. – “Është makina e ish-burrit tim. Fjalët e fundit që dëgjova nga ai ishin: Shite makinën time dhe dërgomë paratë.”
A është vallë për t’u çuditur pse ka konflikt në martesë kur dy njerëz të butë nga natyra, të ngarkuar me trysni hyjnë në një shtëpi? Burri dhe gruaja, secili, dëshirojnë t’i bëjnë gjërat sipas mënyrës së tyre dhe të dy këta ndihen nën trysninë e kulturës. A ka shpresë që ndonjë martesë të mbijetojë?
Sot, ne e shikojmë martesën tonë shumë ndryshe nga prindërit tanë. Në themel të martesës së tyre qëndronte siguria. Në më të shumtën e rasteve, ata e zgjodhën bashkëshortin/en nga njerëz që i njihnin. Sot nuk veprohet kështu: Martesa bëhet për arsye shoqërore ose për shkak se ne dëgjojmë tik-takun e “orës biologjike”. Partnerët zgjidhen nga çfarëdolloj burimi.
Brezat e vjetër nuk e miratonin divorcin dhe e shikonin martesën si diçka që zgjaste përherë. Po sot divorci është bërë një zgjidhje e pranueshme dhe, për shkak të divorcit, kemi tani sfidën e familjeve të përziera. Sot, nëse një martesë zgjat tre deri në pesë vjet, kjo gjë konsiderohet si një arritje e madhe.
Nëse nuk keni një plan për martesën tuaj, atëherë ka të ngjarë që të përjetoni sëmundjen që shkakton vdekjen e martesës: izolimin.
Izolimi 
Ju mund të pyesni veten: Çfarë nënkuptojmë me izolim? Ky është një divorc emocional ose e thënë ndryshe bëjmë jetën e beqarit, ndërsa jemi të martuar. Nëse ndiheni të veçuar nga bashkëshorti/ja, të vetmuar dhe të shkëputur, atëherë ndoshta po jetoni në izolim.
Izolimi mund t’i ndodhë secilit prej nesh. Në fund të fundit, kultura jonë e bën shumë të vështirë të qenit një. Pjesë e arsyes pse ne izolohemi nga njëri-tjetri është: Ajo që unë mendoj se ka rëndësi për mua, nuk ka rëndësi për të dhe ajo që ka rëndësi për të, nuk ka rëndësi për mua. Papritur kuptojmë: Ky person nuk mendon për martesën, ashtu siç mendoj unë.
Nëse ka ndonjë gjë më të keqe sesa një beqar/e fatkeq, i vetmuar, është një person i martuar fatkeq, i vetmuar. Ironia qëndron në faktin që asnjë çift nuk martohet me ndonjë synim për të qenë i izoluar nga njëri-tjetri. Aktualisht, shumica prej nesh ndiejmë se martesa është ilaç për vetminë.
Izolimi është si një virus vdekjeprurës që pushton një martesë, pa zhurmë, ngadalë dhe pa dhimbje në fillim. Atëherë kur ne bëhemi të përgjegjshëm për ndikimet e tij të brendshme, mund të jetë shumë vonë. Martesat mund të paralizohen nga mërzitja dhe plogështia, madje vdesin nga të kequshqyerit dhe lënia mbas dore e anës emocionale.
Rrjedha që të çon në izolim mund të duket në atë që një vëzhgues i mençur martesash e quajti: “Shtatë vitet e ftohjes së martesës”. Po të ndjekim reagimin e një burri ndaj simptomave të të ftohurës së gruas së tij gjatë shtatë viteve martesë, mund të dëgjojmë:

Vitin e parë ai thotë: “Sheqerka ime, jam i shqetësuar për vogëlushen time. Frymëmarrja të është rënduar dhe nuk mund ta kuptosh dot me gjithë këtë streptokok që gjendet rreth e rrotull. Po të dërgoj në spital sot pasdite për një kontroll të përgjithshëm dhe një pushim të mirë. E di që ushqimi aty është i keq, por do të të sjell unë nga jashtë.”

Në vitin e dytë: “Dëgjo e dashur, nuk më pëlqen kjo e kollitur. I telefonova doktorit të familjes që të vijë këtu sa më shpejt. Shko tani në shtrat si vajzë e mirë. Të lutem bëje për mua, për shpirtin tënd.”
Vitin e tretë: “Mbase do ishte më mirë që të ishe shtrirë në krevat, zemër. S’ka gjë më të mirë sesa një pushim kur je sëmurë. Do të të sjell diçka për të ngrënë. A kemi ndopak supë?”
Vitin e katërt: “Shiko e dashur, bëhu e arsyeshme. Pasi të ushqesh fëmijët dhe të lash enët, do ishte më mirë që të shtriheshe në shtrat.”
Vitin e pestë: “Pse nuk ble ca aspirina?”
Vitin e gjashtë: “Sikur të bëje gargarë apo diçka tjetër në vend që të vish vërdallë duke lehur si kone, do të ta dija për nder.”
Vitin e shtatë: “Pash Zotin, mjaft teshtive! Do më ngjisësh pneumoninë?”
Sigurisht, nuk duhen gjithmonë 7 vjet që intimiteti të venitet dhe të fillojë izolimi. Ngandonjëherë kjo mund të ndodhë brenda 7 muajsh. Në martesa të tjera, shenja e vitit 20 apo 25 është pika e rrezikut, por procesi i izolimit nuk ndalet kurrë.
Çdo martesë ka nevojë për një plan që të mundë izolimin dhe të përjetojë intimitetin. Mësoni çelësat për ta bërë martesën funksionale. – Burimi Jete Familjare.
Facebook Comments

Share This:

Related Posts

  • 97
    Pemët e Krishtlindjes janë bërë një simbol mbarëbotëror për paqen dhe gëzimin e mirë. Ata janë në qendër të një prej tubimeve më të mëdha të familjes të vitit. Dhe fetë e të gjitha formave dhe madhësive e shndërrojnë atë si diçka shpirtërore dhe kuptimplote për besimet e tyre. Ndërsa…
    Tags: të, një, në
  • 97
    Krishtlindja është si një festë e shenjtë fetare dhe një fenomen global kulturor dhe komercial. Për dy mijëvjeçarë, njerëzit në mbarë botën e kanë vëzhguar atë me tradita dhe praktika të cilat janë të natyrës fetare dhe sekulare. Të krishterët festojnë Ditën e Krishtlindjeve si përvjetorin e lindjes së Jezusit…
    Tags: të, në, një
  • 97
    Njëzetekatër orë pasi Rita Ora e ka konfirmuar vetë se do të jetë në Prishtinë më 17 shkurt, një ekip teknikësh është mobilizuar për finalizimin përgatitjeve për koncertin e yllit kosovar me famë botërore. Me dimensionet 22 metra e gjerë dhe 14 metra e lartë të enjten ka marrë formë.…
    Tags: të, në, një
  • 97
    Vendimmarrja në Kuvend do të riaktivizohet këtë javë në përpjekjen për t’i dhënë zgjidhje nyjës rreth demarkacionit. Kryesia e organit ligjvënës të hënën do ta shqyrtojë Marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi, vetëm një ditë para se kryeministri malazias, Dushko Markoviq, e nis vizitën e parë zyrtare në Kosovë,…
    Tags: të, në, një
  • 95
    Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj me të ardhur në qeveri ka pasur vërejtje për ministrat e tij të cilët kanë munguar në seancë. “Nëse një ministër nuk është në seancë është mirë më shkrujt një shkresë sekretarit të parlamentit dhe është mirë më njoftu dhe kryeministrin. Dje i kemi pasur…
    Tags: në, një, të
Comments