Kulturë

Dy karrige edhe sot mbetën bosh!

Mësues me gjithnjë e më pak nxënës! Fenomeni i migrimit ka prekur ndërkohë sistemin arsimor në Kosovë. Por dëmtimi i arsimit pengon transformimin e Kosovës, ngrenë zërin ekspertët.

Edhe dy karrige të tjera do të mbeten bosh në një klasë të shkollës së mesme të ulët “4 Prilli”, në fshatin Zllatar të komunës së Ferizajt. Dy nxënës e kanë braktisur shkollën këtë vit të ri shkollor, për arsye të largimit të familjeve të tyre nga Kosova.

Braktisja e Kosovës nga qytetarët për një jetë më të mirë drejt shteteve të Bashkimit Evropian konsiderohet nga ekspertët si ndër fenomenet që do ketë pasoja të rënda për Kosovën. Zvogëlimi i numrit të nxënësve po prek edhe mësimdhënësit e tyre. Zymer Haliti, arsimtar i lëndës së gjuhës shqipe në shkollën fillore të mesme të ulët “4 prilli”, në fshatin Zllatar të komunës së Ferizajt është i shqetësuar. “Si çdo ditë shkoj në punë, si mësimdhënës i gjuhës shqipe…! Por, kjo ditë apo kjo orë sikur më lëndoi shumë, jo vetëm mua, por edhe kolegët e tjerë. Sapo shkova në klasën e tetë, i pyeta nxënësit kujdestarë se kush mungon? Ata më treguan se dy nxënës s’do të vijnë më në shkollë! Këta dy nxënës kanë shkuar javën e kaluar për në Gjermani dhe s’do të jenë më me ne, s’do të vijnë më në shkollë…Dy karrige edhe sot mbetën bosh!”, tregon mësuesi Haliti.

Mësuesit e shkollës “4 Prilli” flasin me nxënësit që megjithë gjendjen e vështirë t’u ndezin shpresën për ta ndërtuar të ardhmen në Kosovë, por zëri i tyre duket se është më i dobët, se dëshira për t’u larguar. Mësuesi Zymer Haliti e di: Edhe në muajt e ardhshëm, ai ka për të marrë lajme për nxënës të tjerë të larguar. “Gjatë bashkëbisedimit tim me nxënësit e mi edhe të tjerë treguan se shumë shpejt edhe ata do të largohen nga Kosova. E kjo gjë na shqetëson shumë.” shprehet ai.

Eksperti i arsimit, Dukagjin Pupovci, drejtor ekzekutiv i organizatës joqeveritare “Kosovo Education Center” përmend për Deutsche Wellen shifrat që tregojnë rënien e numrit të nxënësve. “Në vitin shkollor 2008/09, 443,912 fëmijë kanë qenë të përfshirë në arsimin parauniversitar, ndërsa në vitin shkollor 2018/19 ky numër ka rënë në 361,875 që paraqet zvogëlim prej 22.6% brenda një dekade. Krahas zvogëlimit të natalitetit, një pjesë e konsiderueshme e këtij zvogëlimi i atribuohet migrimeve jashtë vendit, të cilat, kohëve të fundit, janë të nxitura edhe nga kërkesa e shtuar për fuqi punëtore në disa vende evropiane.”

Migrimi dëmton arsimin

Dukagjin Pupovci thekson, se kjo ka çuar jo vetëm “zbrazje” graduale të shkollave, por në disa zona rurale edhe mbylljen e tërësishme e tyre. Ai shikon madje edhe nevojën e riorganizimit arsimor në këto kushte në Kosovë. “Kjo imponon nevojën për rishikimin e rrjetit të shkollave në Kosovë, në mënyrë që hapësirat të shfrytëzohen në mënyrë sa më racionale dhe me efekt për përmirësimin e cilësisë së mësimdhënies dhe të nxënit. Aty ku distancat nuk janë të mëdha dhe ka mundësi transporti duhet shqyrtuar mundësinë e mbylljes së tërësishme të disa shkollave, duke mos lejuar që që të bëhen improvizime me klasa me numër të vogël të nxënësve.”

Edhe sociologja, Bukurie Rrustemi konstaton, se fenomeni i migrimit po dëmton arsimin e Kosovës. “Fenomeni i migrimit e ka dëmtuar në vazhdimësi shtetin e Kosovës dhe shkollat e Kosovës, kur dihet fakti se të larguarit nga këtu janë pikërisht të rinjtë, apo fuqitë punëtore të tanishme dhe të ardhshme të Kosovës. Gjithashtu vlen të theksohet fakti se migrimi familjar që ka ndodhur viteve të fundit ka shkaktuar edhe zbrazjen e shkollave në vend, sidomos në vendbanimet rurale, ku dukshëm ka rënë numri i nxënësve, të cilët migrojnë së bashku me familjet e tyre. Diku sipas statistikave zyrtare, vetëm në komunat mesatare ku numri i popullsisë varion nga 60-80 mijë banorë, gjatë dy viteve të fundit mbi 500 nxënës kanë braktisur shkollën dhe kanë migruar drejtë BE-së. Rast i tillë është komuna e Malishevës.”, thotë Rrustemi.

Largimi i të mirëarsimuarve pengon transformimin e Kosovës

Të dhënat e studimit të rinisë 2019 të bërë nga fondacioni gjerman Friedrich Ebert në Prishtinë tregojnë se 51% e të rinjve shqiptarë nga Kosova kanë si qëllim të qartë largimin nga vendi. Edhe 55% e të rinjve serbë të Kosovës kanë qëllim të fortë të migrojnë. Sipas të dhënave të EUROSTAT, gjatë vitit të kaluar Kosovën e kanë lënë 34,500 qytetarë.

Migrimi i të rinjve sjell pasoja serioze sociale, ekonomike e kulturore. Me plakjen e popullësisë ose siç njihet në demografi “Moshnimi Demografik” bie edhe nataliteti në vend. Pasojat e rënies së natalitetit janë ekonomike e sociale. Edhe Kosova sipas demografëve ka një ulje drastike të lindjeve dhe nëse do të vazhdojë një trend i tillë i natalitetit brenda 10 viteve numri i popullsisë në Kosovë pritet të pësojë rënie të ndjeshme.

Sipas ekonomistit Fadil Sahiti, Kosova po humb më së shumti kuadro të kualifikuar. “Nëse flasim për të rinjtë të edukuar dhe të arsimuar mirë, ata që kanë arritur të fitojnë ekpertizë të caktuar në fusha të ndryshme dhe që kanë vendosur ta lëshojnë vendin, atëherë Kosova humb mjaft. Këtu para se gjithash e kam fjalën për mjekët, inxhinierët, arkitektët, ekonomistët e shkolluar. Sigurisht që këtu Kosova humb mjaft, sepse kemi të bëjmë me një kategori njerëzish që mund të japin kontribut të çmueshëm për transformimin e vendit.”

Eksperti Pupovci paralajmëron, se si rezultat i migrimeve, shumë vende të Ballkanit që tani duhet të përballen me problemin e mungesës së fuqisë punëtore të kualifikuar. “Kjo mund t’i ndodhë edhe Kosovës në një të ardhme të afërt. Prandaj, duhet bërë një planifikim të nevojave, në mënyrë që shkollat profesionale dhe institucionet e arsimit të lartë të ofrojnë programe për ato profile që janë deficitare.”/DW.

Facebook Comments

Share This:

Related Posts

  • 100
    Performanca unike e artistit kosovar, e cila për herë të parë u prezantua në Runik në muajin korrik, vazhdon rrugëtimin si ekspozitë në Torino të Italisë. “Shkrepëtima” do të shpaloset në “Fondazione Merz”, prej datës 29 të muajit tetor dhe do të qëndrojë e hapur deri më 3 shkurt të…
    Tags: të, në
  • 100
    Në kuadër të programit special të edicionit të 9-të të Festivalit të filmit të animuar Anibar, ju sjellim prezantimin e regjisores Luce Grosejan nga Franca, e cila do të prezantojë lidhur me temën “Vizioni i femrës për seksin në animacion”. Kinemaja, interneti, gjegjësisht bota në të cilën jetojmë, ka mbuluar…
    Tags: në, të
  • 100
    Festivali Anibar Animation sivjet mban edicionin jubilar prej 15 deri më 21 korrik në Pejë, me temë “Frika dhe Shpresa”. Rreth 300 filma të animuar, me një llojllojshmëri te pasur artistike me temë kryesore shpresën dhe frikën, do të shfaqen në kuadër të festivalit. Drejtori i Festivalit, Vullnet Sanaja, ka…
    Tags: të, në
  • 100
    Festivali i cili hulumton hapësirat publike këtë vit paralajmëron eksplorimin e limiteve dhe ndryshimin e këndvështrimit për qytetin. Me temën “Të lëvizësh qytetin”, edicioni i katërt i “Hapu” për tri ditë do të mbushë rrugët e kryeqytetit me performanca e aktivitete kulturore. Shtatë lokacione të ndryshme do të shndërrohen në…
    Tags: të, në
  • 100
    Në kuadër të shënimit të Ditës Botërore të Turizmit, Drejtoria e Turizmit dhe e Zhvillimit Ekonomik të enjten ka bërë hapjen e punëtorisë së filigranit, duke e konsideruar atë artizanat të vlefshëm të qytetit. Përmes kësaj punëtorie, gjeneratat e reja do ta kenë mundësinë që të trajnohen dhe të mësojnë…
    Tags: të, në
Comments