Kulturë

Halimi – profesori që avancoi frankofoninë në Kosovë

Me një shkollim solid në Sorbonë të Francës, profesor Halit Halimi është vlerësuar për angazhimin e tij shumëvjeçar në Departamentin e Gjuhës dhe të Letërsisë Frënge, si dhe për studimet e shumta në fushën e fonetikës, leksikologjisë dhe përkthimeve.

Profesor që përcolli breza të tërë studentësh e doktorantësh të frëngjishtes, studiues i zellshëm i fonetikës e leksikologjisë, si dhe një nga kontribuuesit kryesorë në avancimin e frankofonisë në Kosovë.

Halit Halimi afërsinë me studentët e kishte ruajtur edhe pasi ishte pensionuar, shkruan sot Koha Ditore.

“Nuk më vinte keq të dilja në pension, por nuk mund të ndahesha nga studentët. Kam jetuar për ta, kanë qenë gëzimi im, lumturia ime”, kishte shkruar ai në librin “Miratoci, vendlindja ime, malli im”, që ishte botuar në vitin 2016.

Për profesor Halimin, i cili ndërroi jetë mbrëmjen e së premtes, në moshën 77-vjeçe, Dekanati i Fakultetit të Filologjisë ka mbajtur të martën një mbledhje përkujtimore në sallën “Idriz Ajeti” të po të njëjtit fakultet.

Me një minutë heshtje, të pranishmit kanë nderuar kujtimin për profesorin e ndjerë, teksa profesorë, kolegë e të afërt të tij kanë evokuar momente nga veprimtaria shumëvjeçare e Halimit.

Lindita Sejdiu-Rugova, dekane e Fakultetit të Filologjisë, ka thënë se profesor Haliti ka dhënë kontribute të shumta në ngritjen institucionale të Universitetit të Prishtinës.

“Jemi mbledhur në këtë sallë për ta përshëndetur, pa praninë fizike të tij, punën dhe veprën e një prej profesorëve të shquar të Katedrës së Frëngjishtes, profesorit të gjuhës frënge, studiuesit pararojë, i cili gjatë tërë punës së tij në Fakultetin e Filologjisë dha një kontribut të rëndësishëm në auditoriumet e këtij institucioni, gjithnjë në funksion në avancimit të dijes”, ka thënë Sejdiu-Rugova.

Duke përmendur angazhimin e Halitit si profesor i fonetikës dhe leksikologjisë, ajo ka thënë se Halimi nuk reshti së promovuari studimin e frëngjishtes në Kosovë, por dha kontribute edhe në zhvillimin e shkencës albanologjike.

“Me një kulturë të gjerë e përgatitje në Sorbonë dhe Zarë, kontributi i profesor Halitit në Fakultetin e Filologjisë përshkruhet si i veçantë. Përpos aktivitetit pedagogjik, profesori botoi një numër të konsiderueshëm studimesh gjuhësore në formë librash, artikujsh shkencorë e punimesh”, ka vlerësuar dekania e Fakultetit të Filologjisë.

Rektori i Universitetit të Prishtinës, Marjan Dema, ka thënë se mbledhjet përkujtimore janë një moment reflektimi e krenarie për Halimin.

“Komemoracionet, sado që na falin çaste pikëlluese, janë edhe një moment reflektimi e krenarie, ku të gjithë atyre që patën rastin t’u ekspozoheshin vlerave të personalitetit, që më nuk është në mesin tonë, ju flet mendja e zemra për figurën e tij”, ka thënë ai.

Në vijim Demaj ka përmendur angazhimin e tij në Departamentin e Gjuhës dhe të Letërsisë Frënge në Fakultetin e Filologjisë, por edhe angazhimin e tij në Senatin e Universitetit të Prishtinës, si dhe në komisione të ndryshme.

“Ani pse trupi nuk frymon më, fryma e ideologjisë së tij, urtësia e përkushtimi i profesor Halimit gjenden të trashëguar në studentët e tij, në sallat ku ai ka ligjëruar e në shkresat intelektuale që pena e tij ia fali mësimit të gjuhës frënge në vendin tonë. Profesor Halimi dha kontribut në kohëra të vështira, që, me punë e përkushtim, sot gjuhën frënge ta kemi si lëndë zgjedhore në të gjitha njësitë akademike”, ka thënë ai.

Ndërkaq profesoresha Bade Bajrami, pasi lexoi një jetëshkrim të të ndjerit, ka vlerësuar se profesor Halimi ka dhënë kontribute në Departamentin e Gjuhës dhe të Letërsisë Frënge në Fakultetin e Filologjisë.

“Profesor Halit Halimi, punën e tij si shef i Departamentit të Frëngjishtes e ka kryer me përgjegjësi shumë të lartë. Vlen të theksohen sidomos kontributi dhe angazhimi i pakursyer për mbajtjen gjallë të Degës së Gjuhës Frënge gjatë mësimit paralel në objektet private dhe ndihmën e pakursyer që studentët të shkonin në Francë”, ka thënë ajo. “Ishte profesor me formim të shumanshëm dhe ishte shumë modest e i afërt për studentë, i gatshëm për t’iu ofruar atyre ndihmë”.

Edhe ish-profesori i frëngjishtes, Murat Bejta, ka thënë se Halimi ka dhënë kontribute të vlefshme për Departamentin e Gjuhës dhe të Letërsisë Frënge. Teksa ka evokuar momente të njohjes me të ndjerin, ai ka thënë se Haliti ishte njeri i shoqërueshëm dhe i kuptueshëm.

“Me aftësitë e tij dhe sinqeritetin e punës, ai e mbajti Degën e Gjuhës dhe të Letërsisë Frënge, si dhe kontribuoi që gjuha frënge, si gjuhë botërore, të përhapet e të mbahet edhe sot e kësaj dite në Kosovën tonë të lirë”, ka thënë Bejta.

Ndërkaq ish-gazetari Nehat Islami ka thënë se me profesor Halitin kishte miqësi që nga ditët kur ishte nxënës në gjimnaz.

“Nuk u besoja fjalëve të tij kur më thoshte se ditët i kam të numëruara. Ai përcolli shumë gjenerata studentësh e doktorantësh dhe për secilin prej tyre gëzohej si për fëmijët e vet”.

Edhe poetja dhe gazetarja Valetina Saraçini ka thënë se ndihet e privilegjuar që kishte rastin të njihej me profesor Halimin.

“Profesor Haliti ishte jashtëzakonisht i dashur në komunitetin e gazetarëve dhe madje falë personalitetit të tij të jashtëzakonshëm. Jemi me fat të gjithë ne që e njohëm profesor Halimin”, ka thënë ajo.

I lindur në vitin 1942, në fshatin Miratoc të Preshevës, Halit Halimi i kishte kryer studimet universitare në Sorbonë të Francës. Po në këtë qendër universitare, më 1990, ai mbrojti tezën “Fonetikë dhe fonologji e shqipes në vështrim të një studimi kontrastiv me frëngjishten standarde” (Phonétique et phonologie de l’albanais en vue d’une étude contrastive avec le français standard).

Profili i tij shkencor u thellua edhe pas diplomimit për letërsi e civilizim rumun në Institutin Kombëtar për Studime Orientale në Paris. Edhe në Universitetin e Zarës, në Kroaci, ai kishte përfunduar Pedagogjinë e Përgjithshme.

Prej vitit 1974, Halimi filloi punën si ligjërues dhe profesor për lëndët fonetikë frënge dhe leksikologji në Degën e Gjuhës dhe të Letërsisë Frënge të Fakultetin e Filologjisë së Universitetit të Prishtinës. “Fonetika dhe fonologjia e gjuhës shqipe” (1994), “Fjalor tematik frëngjisht – shqip” dhe “Parametrat akustikë të theksit të shqipes. Studim eksperimental” ishin disa nga veprat më të rëndësishme të tij.

Përveç veprimtarisë shumëvjeçare si pedagog në Universitetin e Prishtinës, Halimi mori pjesë në shumë tryeza e sesione shkencore vendore e ndërkombëtare nga fusha e gjuhësisë.

Facebook Comments

Share This:

Related Posts

  • 100
    Muzeu i kristaleve në Mitrovicë me rreth 2 mijë eksponate, pak vizitorëMuzeu i kristaleve dhe mineraleve që ndodhet në Stantërg të Mitrovicës ka rreth 2 mijë eksponate të cilat janë ndër më uniket në Evropë, shumë të çmueshme në botë, ndërsa kanë vlerë jashtëzakonisht të lartë trashëgimore muzeore. Ky muze që konsiderohet si krenaria e Kosovës për bukuritë e kristaleve dhe…
    Tags: të, në, ka, dhe
  • 98
    Institutit Arkeologjik të Kosovës i bllokohet plani i punës për sivjetInstituti Arkeologjik i Kosovës nuk do ta realizojë planin e punës për vitin 2018 dhe mbi dhjetë projekte të planifikuara do të mbesin pa u përfunduar. Ky është “bilanci” që ka nxjerrë IAK-ja tre muaj pa përfunduar viti dhe për këtë shkakun e gjen te telashet me buxhet, shkruan sot…
    Tags: të, ka, në, dhe
  • 96
    Arjeta Mala sjellë dy botë me tensione në ekspozitën në PrishtinëAjo ka lindur në Pejë dhe me punët e saj të fundit artistike mendjen e ka pasur në një tjetër pjesë të botës. Peja pati luftë e terror, sikur Kosova në tërësi, para disa dekadash, ndërsa Siria ka një luftë që ka nisur qëmoti e po vazhdon edhe sot. Me…
    Tags: në, të, ka, dhe
  • 96
    Regjisorja e filmit “Sarabande” pjesë e 29 rrëfimeve në librin “Lucid Dreaming”“Lucid Dreaming” titullohet libri i Pamela Cohn, producentes dhe gazetares nga Los Angeles që ka bërë bashkë rrëfimet e 29 filmbërësve. Në mesin e tyre është edhe ai regjisores Kaltrina Krasniqi, e cila ka biseduar me autoren në lidhje me realizimin e dokumentarit “Sarabande”, produksion i vitit 2018. Në mesin…
    Tags: në, të, dhe, ka
  • 96
    “Martesa” e fut Blerta Zeqirin në dhjetëshen e regjisoreve evropianePrishtinë, 18 maj - “Përreth globit, gratë po luftojnë për ndryshim duke realizuar filma të mrekullueshëm artistikë, dhjetë prej të cilëve e përbëjnë këtë vitrinë”, ka shkruar kritikja filmit Sarah Ward, në ueb-faqen zyrtare të një festivali filmi me traditë 65-vjeçare. Kësisoj e ka prezantuar kategorinë “Europe! Voices of Women…
    Tags: të, në, ka, dhe
Comments