Kulturë

“Lost Ships” zbërthen dashurinë dhe emigrimin nëpërmjet muzikës

Muzikantët ndër shekuj kanë realizuar këngë, përmes të cilave kanë shprehur ato që i preokupojnë ata vetë, ose shoqërinë. Një reflektim mbi të tashmen është edhe albumi më i ri i këngëtares së njohur shqiptare Elina Duni në bashkëpunim me kitaristin Rob Luft. “Është një album që ka të bëjë me çështje të së tashmes që na prekin edhe neve”, kanë shkruar Duni dhe Luft në tekstin shpjegues të albumit “Lost Ships” (Anijet e humbura). Repertori është i mbushur me këngë që kanë të bëjnë për dashurinë dhe ekzilin. Këngët e interpretuara në mënyrë unike nga Duni shoqërohen nga tingujt e kitarës që shpesh vijnë edhe si një vokal i dytë. Ndërkohë, një mëlmesë janë edhe tingujt e instrumenteve të tjera. Multi-instrumentisti Fred Thomas mund të dëgjohet në bateri dhe piano, ndërsa Matthieu Michel po ashtu jep një kontribut përmes lojës së tij në instrumentin e tunxhit.

Këngë që vijnë nga folklori shqiptar marrin një dimension të ri. “Kur më del në derë” dhe “N’at zaman” vijnë si një lundrim i këndshëm nëpër botën e jazit. Këngët janë të larmishme dhe i tillë është edhe burimi i tyre. Përveç këngëve të vjetra shqipe, në të gjenden edhe këngë të njohura të jazzit e po ashtu edhe kompozime të reja që ka realizuar dyshja, Duni dhe Luft.

“Ka këngë që janë një prekje e ndikimeve të mëhershme, me tinguj nga folklori shqiptar dhe Mesdheu që janë të pranishme. Por ne gjithashtu kemi dashur që të eksplorojmë edhe rrënjët e stileve të tjera: baladave të jazzit që asnjëherë nuk dalin nga moda, këngëve franceze dhe këngëve nga folku amerikan”, është shkruar në tekstin përshkrues të albumit. Thesari i këtij albumi pasurohet edhe me interpretimin e këngës “I’m A Fool To Want You”, që u bë e njohur në interpretimin e Frank Sinatrës dhe “Here Encore” të këngëtarit të njohur francezo-armenian Charles Aznavour.

“Si shtesë e seriozitetit që mund të gjendet te shumë vepra. Ka po ashtu një ndriçim që përshkon gjithçka. Ne besojmë që kjo dritë mund dhe do të shkëlqejë mbi të gjitha në këto kohë problematike…” vazhdon tutje përshkrimi. Aty tregohet se në qendër të teksteve është edhe kriza e emigrimit.

“Por ‘Lost Ships’ është gjithashtu edhe një album për vendet që ne i kemi vizituar dhe i duam e po ashtu edhe për vendet që më nuk ekzistojnë apo janë prezentë vetëm si fragmente në imagjinatën tonë”, është sqaruar tutje.

Përderisa Duni në albumin e saj të mëhershëm “Partir” kishte kënduar këngë në nëntë gjuhë, kësaj radhe ajo vjen vetëm me katër: anglisht, shqip, frëngjisht dhe italisht. Toni i saj edhe në këtë album vazhdon të krijojë një ambient intim me një kthjelltësi të theksuar.

Albumi është incizuar në Francë, në kompaninë “Edition of Contemporary Music” (ECM) në shkurt të këtij vitit, pak para karantinës. Në një intervistë për gazetën javore zvicerane “NZZamSonntag”, publikuar më 6 të këtij muaji, Duni kishte treguar se albumi ishte gati për dy ditë. Për herë të parë ka kompozuar këngë bashkë me dikë. Realizimi i këngëve është rezultat i një bashkëpunimi të veçantë muzikor të këngëtares me partnerin e saj të jetës, kitaristin Rob Luft.

“Është një proces kompleks. Çfarë të pranoj nga tjetri, për çfarë të them jo. A e gjej veten në ato që sjell ai? Është diçka e veçantë kur jeton dhe punon në të njëjtin apartament. Nuk je kurrë vetëm, madje as në mendimet e tua, ju vazhdoni që të zhvilloni një ide në tavolinën e ushqimit apo në mes të natë, e merr instrumentin dhe e vë në pyetje tjetrin”, kishte thënë ajo.

Dyshja janë takuar në verën e vitit 2017, në “Montreux Jazz Festival”, ku Rob Lutf kishte marrë pjesë në një garë për talente të reja dhe kishte zënë vendin e dytë. Duni, e cila është dymbëdhjetë vjet më e vjetër ishte si mentore. Në të njëjtën gazetë Duni kishte thënë se muzika i jep më shumë hapësira sesa pianoja. “E bëjnë muzikën time më të hapur dhe më të lehtë, teksti im është më bashkëkohor, më bashkëkohor. Nuk u përqendrova më në lartësimin e këngëve të vjetra si dikur”, kishte thënë ajo,

Elina Duni, e lindur në Tiranë në vitin 1981, iu qasë muzikës kur ishte 5-vjeçare. pas familja e saj u vendos në Gjenevë kur ajo ishte 11 vjeçe. Duni mori mësime të pianos dhe më pas u thellua në jazz, duke studiuar për të njëjtin në Universitetin e Arteve në Bernë. Krahas studimeve u mor edhe me muzikë. Albumet e saj ku gërshetoi folklorin shqiptar me jazz u ngritën në piedestal nga kritikë të muzikës, ku veçohet albumi “Partir”, “Matanë malit” dhe “Dallëndyshe”.

Kitaristi Rob Luft nisi t’i binte kitarës kur ishte 15 vjeç. Për virtuozitetin e tij mori edhe disa çmime. Pas diplomimit në vitin 2016, ai u mori çmimin “Kenny Wheeler Music Prize” dhe nga juria u theksuan aftësitë e tij të jashtëzakonshme në improvizim, aranzhim dhe kompozim. Luft shkroi disa vepra për “Lost Ships” bashkë me Dunin, përfshirë “Lost Ships”, “Numb”, “Brighton”, “Flying Kites”, “Lux” dhe “Empty Streets”.

Në anën tjetër londinezi Fred Thomas, është në hapat e parë të suksesit si aranzhues, producent dhe multi-instrumentis, duke u zgjeruar përveç në muzikë klasike dhe në jazz edhe në projekte muzikore teatrale. E zvicerani Matthieu Michel është edhe anëtar i kuartetit të Michel Benita-s që së fundi ka lansuar albumin “Looking At Sounds” me kompaninë e incizimeve “ECM”.

Albumi “Lost Ships” është lansuar të premten e 13 nëntorit dhe është i qasshëm për t’u blerë nëpër platforma online. Ditën e lansimit albumi u promovua edhe në Festivalin e Jazzit në Lugo të Spanjës, ku këngëtarja shqiptare ishte e pranishme me treshen që ka bashkëpunuar kësaj radhe.

Facebook Comments

Share This:

Related Posts

  • 90
    “Recetë kuzhine” si realitet dualist brenda katër murevePër ta pasqyruar jetën e grave shqiptare, artisti Arianit Beqiri nuk e ka kaluar pragun e shtëpisë. Tri prej veprave të ekspozitës së tij janë realizuar brenda shtëpisë. Një fotografi e nënës së tij rri në pjesën qendrore të ekspozitës. Është pikërisht para kuzhinës. Të qenit amvise, sipas Beqirit, i…
    Tags: të, në, është, që, një, kulturë
  • 90
    Shkrimtarët bashkohen në peticionin që përkrah libraritëLibraritë e mbyllura në Londër. Matt Haig, Malorie Blackman dhe Adam Kay janë në mesin e qindra shkrimtarëve që janë bërë bashkë në një iniciativë të përbashkët për të inkurajuar lexuesit që të blejnë libra nga librashitësit e tyre lokalë, pasi një bllokim i dytë në Angli i detyron dyqanet…
    Tags: të, në, dhe, që, një, kulturë
  • 89
    Ramë Lahaj: “Për ty Atdhe” ia kisha borxh Tiranës e ShqipërisëKryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, priti në një takim tenorin e mirënjohur nga Kosova, Ramë Lahaj, i cili me rikompozimin e këngës “Për ty atdhe”, ka sjellë një dhuratë të çmuar për mbarë kombin shqiptar në këtë përvjetor të Pavarësisë së Shqipërisë. Ky 29 nëntor e ka gjetur…
    Tags: të, në, që, një, dhe, është, kulturë
  • 89
    “Peja Jazz”, si çlirim prej shablloneve për shpresë e shkrirje distanceOrganizata “Anibar” në fillimet e saj, para 11 vjetësh besonte se animacioni mund të shërbente si një katalizator për të nxitur aktivizmin në shoqëri. Së fundmi i ka hyrë një misioni të ri. Beson se muzika mund të jetë një mënyrë e mirë për të shkarkuar energjinë. Jazzin, stilin që…
    Tags: të, në, që, dhe, kulturë
  • 83
    “PoDuArt” me ngjyra e stile për pasurimin skenës artistikeMbledhja për herë të parë pranë Batllavës, ka motivuar një grup të vogël piktorësh ta shkrijnë imagjinatën e tyre në art pamor. Shoqëruar nga rrezet e diellit të vjeshtës, si dhe bukuritë e kodrave që rrethojnë liqenin artificial, piktorët kanë përvjelë mëngët dhe kanë krijuar piktura të cilat më pas…
    Tags: të, në, që, një, kulturë
Comments