Kulturë

Ngjarjet që shënuan 2019-ën në Kosovë

Republika e Kosovës në vitin 2019 është ballafaquar me sfida të shumta në rrafshin e brendshëm dhe në atë ndërkombëtar.

Ftesat nga Gjykata Speciale për drejtuesit kryesorë të UÇK-së, dorëheqja e Ramush Haradinajt nga pozita e kryeministrit dhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare janë disa prej ngjarjeve që e kanë karakterizuar Kosovën gjatë vitit 2019.

Arsimi hyn në grevë për paga

14 janar – Të gjitha institucionet arsimore në Kosovë kanë hyrë në grevë të përgjithshme, me kërkesat për ngritje të pagave për 30 për qind. Kjo grevë, e cila ka vazhduar për tri javë, ishte ndërprerë pas arritjes së marrëveshjes që një pjesë e kërkesave të mësimdhënësve të përfshihet në Ligjin për paga.

Ndërron jetë zëvendësministri i Diasporës, Arian Daci

26 janar – Një ortek bore rënë në Brezovicë ia ka marrë jetën Arian Dacit, zëvendësministrit të Diasporës, djalit të ish-kryetarit të Akademisë së Shkencave, Nexhat Daci, i cili ka qenë duke skijuar me këtë datë. Ariani ka qenë i pasionuar pas skijimit.

Shkarkohet ministri Nenad Rikallo

2 shkurt – Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka liruar nga detyra ministrin e Bujqësisë, Nenad Rikallo. Këtë vendim Haradinaj e ka marrë pasi PSD-ja në opozitë ia ka vënë qeverisë pesë kushte për t’u bërë pjesë e votimit të buxhetit të shtetit, ndër të cilat ka qenë edhe shkarkimi i Rikallos.

Haradinaj shkarkon ministrin serb Teodosijeviq, kishte fyer viktimat e masakrës së Reçakut

9 prill – Kryeministri Ramush Haradinaj ka shkarkuar ministrin e Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Ivan Teodosijeviq, pas fyerjeve të viktimave të masakrës së Reçakut. Për shkak të këtyre fyerjeve, më 5 dhjetor Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar Teodosijeviqin me dy vjet burgim. Dënimi i Teodosijeviqit ka ngjallur reagime të shumta në Serbi. Po ashtu, Haradinaj më 25 mars e ka shkarkuar zëvendësministren serbe të Drejtësisë, Vesna Mikiq, për shkak të deklaratave kundër NATO-s.

Kthehen 110 shtetas të Kosovës, 87 mbesin ende në Siri

20 prill – Institucionet e Kosovës kanë kthyer 110 qytetarë të cilët kanë qenë në zonat e konfliktit në Siri. Drejtuesit e institucioneve të rendit dhe të drejtësisë kanë bërë me dije se prej 110 të kthyerve, prej tyre janë katër luftëtarë, 32 gra dhe 74 fëmijë. Ata kanë thënë se edhe 87 qytetarë nga Kosova gjenden në Siri.

Mbahet Samiti i Berlinit, pjesë e tij Thaçi dhe Haradinaj

30 prill – Në Gjermani është mbajtur Samiti i Berlinit, në të cilin kanë marrë pjesë presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj. Nikoqirë të këtij samiti kanë qenë kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron. Në këtë samit, në të cilin ka marrë pjesë edhe presidenti serb Aleksandër Vuçiq, është kërkuar heqja e taksës, por Haradinaj nuk kishte pranuar. Pas Samitit të Berlinit ishte paraparë që të mbahet ai i Parisit, por që ka dështuar.

Veseli rizgjedhet kryetar i PDK-së

7 maj – Kadri Veseli është rizgjedhur kryetar i PDK-së. Rizgjedhja e tij është bërë në Konventën e Shtatë të kësaj partie, e cila është mbajtur në Prishtinë. Zgjedhja e kryetarit të PDK-së është bërë me votim të hapur nga rreth 700 delegatë, të cilët kanë marrë pjesë në këtë konventë.

Mbahen zgjedhjet për kryetarë në katër komunat veriore

9 maj – Në katër komunat me shumicë serbe (Mitrovicë Veriore, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan) janë mbajtur zgjedhjet e jashtëzakonshme, pasi kryetarët e këtyre komunave kishin dhënë dorëheqje për shkak të taksës 100 për qind. Garën në komunat e veriut e kanë fituar ata të cilët kanë dhënë dorëheqje.

Kuvendi miraton rezolutën që e fajëson Serbinë për gjenocid

16 maj – Me 79 vota për, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar rezolutën për “gjenocidin, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës të ish-regjimit shtetëror serb në Kosovë”. Për hartimin e kësaj rezolute kanë punuar përfaqësuesit e të gjitha partive politike, përveç grupit të Listës Serbe.

Haradinaj takohet me kancelaren Merkel

6 qershor – Kryeministri Ramush Haradinaj është pritur në takim nga kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel. Haradinaj pas takimit kishte thënë se Kosova është e gatshme për një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht detyruese për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, që përfshinë njohjen e ndërsjellë në kufijtë ekzistues.

Kosova shënon 20-vjetorin e çlirimit, marrin pjesë Clintoni, Albrighti dhe Clarku

12 qershor – Republika e Kosovës ka shënuar 20-vjetorin e çlirimit. Në këtë ngjarje historike kanë marrë pjesë personalitete të ndryshme nga mbarë bota. Mysafirë specialë të kësaj ngjarje kanë qenë tre protagonistët e çlirimit të Kosovës: ish-presidenti amerikan Bill Clinton, ish-sekretarja e Shtetit, Madeleine Albright dhe ish-komandanti suprem i forcave të NATO-s, Wesley Clark. Me këtë rast, në nderim të kontributit të sekretares Albright, në Prishtinë është zbuluar busti i saj.

Kushtetuesja e shpallë jokushtetues ekipin negociator

27 qershor – Ekipi negociator i Kosovës për bisedime me Serbinë është shpallur jokushtetues nga Gjykata Kushtetuese, pas kërkesës për interpretim të Ligjit për dialogun nga LDK-ja dhe LV-ja. Pas vendimit të Kushtetueses, ky delegacion ka pushuar aktivitetin e vet, pjesë e të cilit nuk kanë qenë vetëm LDK-ja dhe LV-ja. Bashkëkryesues të ekipit negociator kanë qenë Shpend Ahmeti dhe Fatmir Limaj.

Shqipëria mban zgjedhjet lokale pa opozitën

30 qershor – Në Shqipëri janë mbajtur zgjedhjet lokale edhe pse presidenti Ilir Meta i kishte shtyrë për 13 tetor. Në 61 bashki qytetarët kanë votuar për kryetarët e tyre, megjithëse këto zgjedhje janë mbajtur pa partitë kryesore opozitare në vend. Në 31 prej 61 bashkive, Partia Socialiste ka garuar pa asnjë kundërkandidat, ndërsa në 30 të tjerat kanë garuar kandidatë të pavarur apo kandidatë të partive të vogla.

Përurohet ndërtesa e Ambasadës Amerikane në Prishtinë

4 korrik – Në Prishtinë është përuruar ndërtesa e Ambasadës së ShBA-së që ka shënuar njëkohësisht edhe manifestimin qendror në Kosovë me rastin e 243-vjetorit të pavarësisë së Amerikës. Në ceremoninë e përurimit të kësaj ndërtese ka marrë pjesë kongresisti Eliot Engel dhe përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës.

Tri universiteteve publike u tërhiqen akreditimet

16 korrik – Këshilli Shtetëror i Cilësisë ka tërhequr akreditimin për tri universitete publike, duke nxitur reagimin e këtyre institucioneve, por edhe të Qeverisë së Kosovës. Ky këshill ua ka hequr akreditimin për vitin akademik 2019/2020 Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren, “Isa Boletinit” në Mitrovicë dhe “Haxhi Zekës” në Pejë.

Haradinaj jep dorëheqje nga pozita e kryeministrit, shkak ftesa nga Specialja

19 korrik – Ramush Haradinaj ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryeministrit të Kosovës. Dorëheqja e tij ka ardhur pas ftesës që ka pranuar nga Gjykata Speciale për intervistim në lidhje me veprimtarinë e tij në UÇK. Ai ka thënë se këtë vendim e ka marrë duke mos dashur ta “poshtërojë” Kosovën, duke u intervistuar në detyrën e kryeministrit. Intervistimi i tij në Hagë ka ndodhur më 24 korrik.

Isa Mustafa rimerr “timonin” e LDK-së

3 gusht – Isa Mustafa është rizgjedhur kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), duke marrë shumicën e votave nga 354 delegatë të kësaj partie. Votimi i Mustafës është bërë me votim të hapur, pasi Fatmir Sejdiu nuk kishte arritur t’i fitonte votat e mjaftueshme për të hyrë në procedurën e votimit.

Shpërndahet Kuvendi i Kosovës

22 gusht – Me 89 vota për, 1 kundër dhe 2 abstenime deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar për shpërndarjen e legjislaturës së gjashtë, duke e çuar vendin në zgjedhje të parakohshme parlamentare. Vendimi i deputetëve për shpërndarjen e Kuvendit ka pasuar me dorëheqjen e Ramush Haradinajt nga pozita e kryeministrit, pas ftesës nga Gjykata Speciale.

Presidenti vendos që më 6 tetor të mbahen zgjedhjet parlamentare

26 gusht – Pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit dhe pas konsultimit me partitë politike, presidenti Hashim Thaçi ka marrë vendim që zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbahen më 6 tetor. Këtë vendim Thaçi e ka marrë duke u bazuar në kompetencat ligjore dhe kushtetuese.

Thaçi takohet me Trumpin, Macronin dhe perandorin e Japonisë

25 shtator – Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në Nju Jork është takuar me presidentin e ShBA-së, Donald Trump dhe Zonjën e Parë, Melania Trump. Po ashtu, Thaçi më 11 shtator është takuar me presidentin e Francës, Emmanuel Macron. Gjatë vitit 2019, konkretisht më 22 tetor, Thaçi ka marrë pjesë në ceremoninë e kurorëzimit të perandorit Naruhito në Japoni. Në Japoni, Thaçi është takuar edhe me kryeministrin Shinzo Abe.

Grenelli, i dërguar i Trumpit për dialogun Kosovë – Serbi

4 tetor – Presidenti i ShBA-së, Donald Trump, ka zgjedhur ambasadorin amerikan në Gjermani, Richard Grenell, të dërguar të administratës së vet në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Grenelli do t’i udhëheqë përpjekjet e ShBA-s, për t’u ndihmuar Kosovës dhe Serbisë për arritjen e një marrëveshjeje zyrtare të paqes, e cila do të mund të rezultojë me njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë. Grenelli, pas marrjes së kësaj pozite, ka vizituar Kosovën dhe Serbinë. Përpos Grenellit, edhe Mathew Palmer do të merret me dialogun Kosovë – Serbi. Ai tashmë është duke ushtuar funksionin e përfaqësuesit të posaçëm amerikan për Ballkanin.

Zgjedhjet e parakohshme në Kosovë – Vetëvendosja fiton zgjedhjet, PDK-ja opozitën

6 tetor – Republika e Kosovës ka mbajtur zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Në këto zgjedhje fituese ka dalë Lëvizja Vetëvendosje, e pasuar nga LDK-ja dhe PDK-ja. LV-ja ka fituar 26.27 për qind të votave, apo 29 deputetë, LDK-ja 24.54 për qind apo 28 deputetë, PDK-ja 21.23 për qind apo 24 deputetë, koalicioni AAK-PSD 11.51 apo 13 deputetë, Lista Serbe 6.40 për qind apo 10 deputetë, koalicioni Nisma-AKR-PD 5.002 për qind apo 6 deputetë dhe minoritetet e tjera joserbe 10 deputetë. Befasia e këtyre zgjedhjeve ka qenë PSD-ja, e cila nuk ka arritur të sigurojë asnjë ulëse në Kuvendin e Kosovës, edhe pse ka garuar në një listë zgjedhore me AAK-në.

Kurti, Osmani, Veseli dhe Haradinaj, më të votuarit në zgjedhjet e 6 tetorit

6 tetor – Lideri i LV-së dhe kandidati për kryeministër, Albin Kurti, ka qenë lideri më i votuar në zgjedhjet e 6 tetorit. Ai ka arritur t’i marrë 183 952 vota. Pas Kurtit, kandidatja e LDK-së për kryeministre, Vjosa Osmani, ka arritur të marrë 176 016 vota, i pasuar nga lideri i PDK-së dhe kandidati për kryeministër, Kadri Veseli, me 145 881 vota. Ndërsa lideri i AAK-së dhe kandidati për kryeministër nga koalicioni AAK-PSD, Ramush Haradinaj, ka marrë 76 163 vota.

Kosova tërheq kërkesën për anëtarësim në Interpol

15 tetor – Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, ka kërkuar tërheqjen e kërkesës së Kosovës për anëtarësim në Interpol dhe shtyrjen e kësaj kërkese për vitin e ardhshëm. Kjo kërkesë është bërë pas rrethanave të krijuara në vend pas dorëheqjes së Haradinajt. Kosova kishte aplikuar për pranim në Interpol në janar të vitit 2019 dhe ishte pranuar nga Komiteti Ekzekutiv i Interpolit.

Ekspertët zviceranë publikojnë raportin për Astrit Deharin

24 tetor – Prokuroria Themelore në Prizren ka pranuar ekspertizën nga Zvicra për vdekjen e aktivistit Astrit Dehari, në të cilën thuhet se “një hetim i ri është i nevojshëm për t’i qartësuar rrethanat e vdekjes së Astrit Deharit”.

Maxhuni largohet nga AKI-ja, vjen Gashi

6 nëntor – Shpend Maxhuni ka dhënë dorëheqje nga pozita e drejtorit të AKI-së. Për këtë dorëheqje, Maxhuni e ka informuar kryeministrin në detyrë, Ramush Haradinaj. Pas dorëheqjes së Maxhunit, Haradinaj dhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, më 25 nëntor kanë emëruar Kreshnik Gashin drejtor të AKI-së dhe Burim Ramadanin inspektor të përgjithshëm në këtë agjenci.

Veseli dhe shumë eprorë të UÇK-së ftohen nga Gjykata Speciale

7 nëntor – Lideri i PDK-së, Kadri Veseli, ka marrë ftesë nga Gjykata Speciale për intervistim, por nuk e ka bërë me dije se në çfarë cilësie. Intervistimi i tij ishte paraparë të mbahet më 4 dhjetor, por ishte shtyrë më 10 dhjetor. Ftesë nga Gjykata Speciale gjatë vitit 2019 kanë pranuar edhe eprorë të lartë të UÇK-së, duke përfshirë: Azem Sylën, Sokol Bashotën, Jakup Krasniqin, Rexhep Selimin, Bislim Zyrapin, Naim Malokun, Lulzim Kabashin, Smajl Latifin, Faton Mehmetajn, Isni Kilajn, Zafir Berishën etj.

Kosova, ndër shtetet e fundit në testin PISA

3 dhjetor – Janë publikuar rezultatet e testit PISA për vitin 2018. Në këto rezultate ka dalë se Kosova nuk ka shënuar përmirësim të madh. Tri vjet pas testimit të parë, PISA e ka radhitur Kosovën të katërtën nga fundi në listën mes 79 vendeve të botës.

Ahmeti jep dorëheqje, PSD-në e drejton Molliqaj

15 dhjetor – Shpend Ahmeti ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryetarit të Partisë Socialdemokrate (PSD) pas rezultatit zhgënjyes në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit. Pas dorëheqjes së Ahmetit, Dardan Molliqaj është zgjedhur kryetar i ri i PSD-së. Po ashtu, nga strukturat drejtuese të PSD-së janë larguar edhe Visar Ymeri, Dukagjin Gorani, Dardan Sejdiu, Shqipe Pantina etj.

Samitet për minishengenin mbahen pa Kosovën

21 dhjetor – Përfaqësues të lartë shtetërorë të katër vendeve ballkanike, nga Shqipëria, nga Mali i Zi, nga Maqedonia e Veriut dhe nga Serbia, gjatë vitit 2019 kanë mbajtur tre samite në lidhje me themelimin e të ashtuquajturit minishengenin ballkanik. Samiti i parë është mbajtur më 10 tetor në Novi Sad, i dyti më 9 nëntor në Ohër, i treti më 21 dhjetor në Tiranë. Në këta tre samite nuk ka marrë pjesë Kosova për shkak të qëndrimeve të Serbisë dhe të presidentit serb Aleksandër Vuçiq në raport me masakrën e Reçakut. Këta samite, sidomos ai i Tiranës, ka ngjallur reagime të shumta, sidomos në Kosovë. Reagimet kanë ardhur si kritika ndaj kryeministrit Edi Rama.

Konstituohet Kuvendi i Kosovës, Konjufca kryeparlamentar

26 dhjetor – Kuvendi i Kosovës, i dalë nga zgjedhjet e 6 tetorit, është konstituuar. Në seancën konstituive është bërë betimi i deputetëve, është zgjedhur kryetari i Kuvendit dhe nënkryetarët. Glauk Konjufca është zgjedhur kryetar i Kuvendit, ndërsa Arbërie Nagavci, Kujtim Shala, Memli Krasniqi, Sllavko Simiq dhe Fikrim Damka janë zgjedhur nënkryetarë të këtij institucioni. Kuvendi është konstituuar pa një marrëveshje në mes të Vetëvendosjes dhe LDK-së, të cilat, për ta formuar qeverinë, janë duke negociuar që nga 6 tetori, kur janë mbajtur zgjedhjet parlamentare. /Epoka e re

Facebook Comments

Share This:

Related Posts

  • 99
    Dhimbja e Ferdonijes trazon BeogradinDhimbja dy dekadash që vazhdon ende e nënë Ferdonijes për bashkëshortin dhe katër djemtë e humbur në luftë ka ngjallur emocione të forta të publikut brenda sallës në Beograd. E jashtë saj një grumbull protestuesish kanë kundërshtuar shfaqjen e dokumentarit që dëshmon krimet e regjimit të Milosheviqit në vitin 1999,…
    Tags: të, dhe, në, ka, për, nga
  • 98
    “Hyjnesha në fron” për traditë e trashëgimiNjëri prej artefakteve më të njohura të Kosovës, Hyjnesha në fron, është si pikënisje për të thurur mesazhe e shenja të trashëgimisë kulturore. Në format e saj, të rinj nga komunitete të ndryshme kanë lënë kujtimet e histori personale e familjare. “Hyjnesha në fron” është titulli i ekspozitës që u…
    Tags: të, në, ka, për, nga, dhe
  • 98
    Misioni i Rita Orës në Kosovë shpaloset me dokumentarHistoria e Antigonës, 19-vjeçares së cilës i ka vdekur babai kur ajo kishte qenë shumë e re e me pas nëna e saj u sëmur rëndë, është pjesë e dokumentarit të publikuar nga UNICEF-i në bashkëpunim me këngëtaren Rita Ora. I realizuar nga “Soccer Aid” për UNICEF-in, dokumentari i publikuar…
    Tags: në, të, për, ka, dhe, nga
  • 97
    Taksapaguesit kosovarë do të paguajnë dyfish për radiotelevizionin publikPërveç parapagimit prej 2.5 eurosh në muaj, nga buxheti i taksapaguesve kosovarë parashihet që të ndahen në vitin pasues edhe 0.4 për qind për Radiotelevizionin e Kosovës. Kjo pasi në Projektligjin e ri, të cilin Komisioni për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media e ka përcjellë të mërkurën në Qeveri,…
    Tags: të, për, dhe, në, nga, ka
  • 94
    Duoja “Ariadita” impresionon publikun vjenezSalla prestigjioze e Vjenës të mërkurën mbrëma mirëpriti një numër të madh të publikut, i cili u mblodh për të dëgjuar koncertin e pianistes së njohur kosovare Ardita Statovci bashkë me pianisten austriake Ariane Haering. Mes duartrokitjesh të shumta, siç shihet atmosfera në disa video, dhe përgjegjësisë që krijon te…
    Tags: në, të, ka, për, dhe, nga
Comments