Histori

Perëndia kundër rrethanave

“Ja, unë jam Zoti, Perëndia i çdo mishi; a ka vallë ndonjë gjë tepër të vështirë për mua?” Jeremia 32:27

Çfarë bën në momentet më të vështira? A fillon të qash për atë që të ka gjetur? A i kërkon përgjigjet në një shishe me alkool? A fillon të mendosh se e vetmja rrugëdalje është vetëvrasja? A nuk ka zgjidhje të tjera të mundshme? Ndonjëherë ne jemi të kufizuar nga rrethanat. Pavarësisht se nga kthehemi duket se nuk ka asnjë rrugëdalje. Kur përballesh me një situatë të tillë, dije se kjo është një mundësi e shkëlqyer për Perëndinë. Ai mund të tregojë gjithçka që mund të bëjë kur burimet e tua të kenë shteruar. Është thënë se “Pamundësia e njeriut është mundësia e Perëndisë.” Ndoshta je duke menduar, “Jo, problemi
im është shumë i madh për Perëndinë… Kjo nuk do të funksionojë… Nuk jam aq i mirë… Nuk jam ky lloj njeriu…” Ndalu një çast! Zoti mund të ketë orkestruar të gjitha rrethanat me të cilat je duke u përballur.
Zoti mund të të tregojë se ke nevojë për të.

Ai mund të takojë ty edhe në nevojat më të thella që mund të kesh. Ti ndoshta e ke vlerësuar Zotin duke u nisur nga rrethanat, në vend që të vlerësoje këto rrethana nga këndvështrimi i Zotit. Patjetër, nëse i mbyll derën Perëndisë, do të jesh i dëshpëruar. Ndaj, vetëvrasja të duket e vetmja shpresë shpëtimi. Por nëse mund të ndalosh dëshpërimin për një çast, e të shohësh mirë Perëndinë dhe fuqinë e Tij, rrethanat do të duken shumë ndryshe. Në tre raste, në rrethana të ndryshme, Perëndia i bën pyetje njeriut, “A ka ndonjë gjë shumë të vështirë për Mua?” Përgjigja është e thjeshtë, “Jo!” Herën e parë që u bë kjo pyetje Perëndia i kishte premtuar një fëmijë një gruaje 90 vjeçare. Gratë në këtë moshë nuk bëjnë fëmijë, por Perëndia i kishte premtuar një bir burrit të saj Abraham. Ai së shpejti do të bëhej 100 vjeç. Shkruesi i Hebrenjve thotë se Abrahami ishte gati duke vdekur. Shteti modern i Izraelit është një dëshmi e asaj që Zoti bëri dhe çdo hebre është një provë e këtij fakti.

Zoti i dha Sarës dhe Abrahamit një djalë, Isakun, i cili është babai popullit Hebre. “A ka diçka shumë të vështirë për Zotin?” Hera e dytë që bëhet kjo pyetje është kur Perëndia i tha Jeremias që të blinte prona,
pavarësisht faktit se kombi ishte gati për t’u shpërbërë. Zoti gjithashtu premtoi se pas 70 vjet robërie, Ai do t’i sillte sërish në tokën e tyre. Jeremia bleu një copë tokë. Kjo ishte provë e besimit të tij. Ai kishte besim në aftësitë e Perëndisë dhe në besnikërinë për të bërë Atë që kishte premtuar. “Ja, unë jam Zoti, Perëndia i çdo mishi; a ka vallë ndonjë gjë tepër të vështirë për mua?” (Jeremia 32:27) Rasti i tretë ku do të përballeni me këtë pyetje është libri profetik i Zakarias. Perëndia premton që do të vendosë sërish
mbretërinë e Tij mbi tokë. Perëndia flet mbi jetën njerëzore, mbi jetën e kombeve, në kohën kur Mbreti i Mbretërve do të mbretërojë. Tani mendo pak për rrethanat që kanë prekur jetën tënde. A mund të të
bëj të njëjtën pyetje? “A ka ndonjë gjë tepër të vështirë për Perëndinë?” A ka? Ti je munduar që t’ia dalësh me të gjitha forcat e tua, e përpjekjet e tua kanë dështuar. Ashtu siç ka thënë edhe Osvald
Çembërs (Oswald Chambers), “Është koha që të lësh Zotin të veprojë…”. Mos e krahaso Perëndinë me rrethanat e tua. Do të ishte më mirë të vlerësoje rrethanat, përmes lartësisë dhe thellësisë së fuqisë së Tij. – Harold Sala

Facebook Comments

Share This:

Comments