Kulturë

Përhapja e mësimit shqip dhe e shkollave kombëtare

Më 23 tetor 1891 u çel në Korçë shkolla e parë shqipe për vajza. Në kushtet e ndjekjeve nga qeveria osmane, hapja e saj u bë në saje të pasaportës së huaj që mbante themeluesi i saj Gjerasim Qiriazi. Qysh në vitin e parë numri i nxënëseve u rrit në 27. Më vonë shkolla kishte çdo vit 30-50 nxënëse. Edhe në këtë shkollë mësuan vajza të besimeve të ndryshme. Mësueset e para të saj ishin Sevasti Qiriazi, Fanka Efthimi, më vonë edhe Polikseni Luarasi e Parashqevi Qiriazi.
Gjerasim Qiriazi kishte lidhje me Komitetin Kombëtar të Korçës dhe me kolonitë shqiptare jashtë atdheut. Ai u ndihmua veçanërisht nga Shoqëria “Drita” e Bukureshtit. Me gjithë pengesat e shumta të armiqve, shkolla e vajzave mbeti e hapur edhe pas vdekjes së parakohshme të Gjerasim Qiriazit dhe u bë vatër e rëndësishme për përhapjen e arsimit, të kulturës dhe të ndërgjegjes kombëtare.
Krahas Korçës, krahinat e Kolonjës e të Vakëfeve u bënë vatra të rëndësishme të përhapjes së arsimit kombëtar. Vepra e nisur nga mësuesi atdhetar Petro Nini Luarasi u zgjerua edhe më shumë në fillim të viteve 90. I ndihmuar nga ish-nxënësit e tij, nga kolonitë e mërgimit, në mënyrë të veçantë nga shoqëria “Drita”, si dhe me përkrahjen e mbrojtjen e popullsisë së këtyre zonave, ai çeli gjashtë shkolla të reja shqipe, në fshatrat Luaras, Gostivisht, Rehovë, Vodicë, Selenicë e Pishës dhe në Treskë, të cilat filluan të funksiononin që në vjeshtën e vitit 1892. Midis mësuesve të këtyre zonave ishin dhe Nuçi Naçi, Kristo Luarasi, Vasil Thanasi e Balil Tahiri.
Lajmi për hapjen e këtyre shkollave të reja shqipe shkaktoi një kundërveprim të ri të klerikëve të lartë ortodoksë grekë dhe të autoriteteve osmane. Mitropoliti i Kosturit, Fillareti, në bashkëpunim me atë të Korçës, lëshoi kundër Petro Nini Luarasit mallkimin. “Me pikëllim të madh, – thuhet në aktin e mallkimit, – pamë syfaqeza dhe dëgjuam në udhëtimin tënë që bëmë në ato vise se i mallëkuari dhe i çvetëmuari prej Perëndisë, Petro Luarasi … erdhi rreth e përqark në katundet e ndryshme të kazasë së Kolonjës, duke u zotuar të emërojë mësonjës shqiptarë, gjoja për të mësuar gjuhën shqipe, e cila nuk ekziston…Për këto shkaqe pra… ju porositim të gjithë ju, të vegjël e të mëdhenj, të vobegtë e begatorë, burra e gra, që të mos u jepni besë fjalëve dhe zotimeve të këtyre të mallkuarve femohues, që t’i mbyllni veshët tuaj kundër blasfemivet të tyre…”. 
Atdhetarët nuk u sprapsën as nga mallkimet dhe as nga shkishërimet e mitropolitit grek. Por në ndihmë të tij vajtën autoritetet osmane të vilajetit të Manastirit, të cilët dërguan në vend shefin e policisë së vilajetit. Në këto rrethana, shkollat shqipe të Kolonjës u mbyllën njëra pas tjetrës. E fundit u mbyll shkolla e Luarasit, në vitin 1896. Megjithëkëtë, Petro Nini Luarasi dhe shokët e tij e vijuan veprimtarinë e tyre për të përhapur shkrimin shqip në forma ilegale.
Duke vlerësuar nevojën e madhe për përgatitjen e mësuesve për shkollat shqipe që po hapeshin në atdhe, Shoqëria “Drita” e Bukureshtit filloi përgatitjet për të çelur në Bukuresht një shkollë normale. Sipas vendimit të Komitetit drejtues të kësaj shoqërie Shkolla Normale Shqipe e Bukureshtit u çel më 10 maj 1892. Drejtor i kësaj shkolle ishte Nikolla Naço, kryetar i Shoqërisë “Drita”. Shkolla pati edhe konviktin e saj për nxënësit që do të vinin nga Shqipëria. Në nenin 2 të rregullores së Shkollës thuhej se ajo fillimisht do të kishte “të paktën 15 nxënës”, të cilët do të ushqehen dhe do të vishen me të prishurat e Shoqërisë “Drita”. Në nenin 4 parashikohej që “Në këtë mësonjëtore të përgatiten mësonjëtorë shqiptarë”, pa dallim feje, kurse neni 5 përmbante planin mësimor të shkollës, që përfshinte 11 lëndë, si gjuhën shqipe, turke e rumune, histori e gjeografi të përgjithshme, veçanërisht të Perandorisë Osmane, pedagogji, matematikë, dituri natyre, muzikë, gjimnastikë, mësim feje, një gjuhë të huaj, e cila të ishte më e folur e më e njohur në botë etj. Meqenëse Shkolla Normale kishte edhe konvikt, ishin vënë në dijeni të gjitha qendrat ku jetonin shqiptarë, veçanërisht ato të trojeve shqiptare, si dhe të diasporës, prej nga mund të vinin nxënës për të ndjekur këtë shkollë. Në rregullore ishte parashikuar që mësuesit e përgatitur në këtë shkollë të dërgoheshin për të hapur shkolla shqipe kudo ku kishte shqiptarë. Shoqëria “Drita” kishte detyrë t’i mbronte ata si gjënë “më të shtrenjtë të kombit, nga çdo e keqe” dhe t’i mbante me shpenzimet e saj. Në rast se mësuesve u ndodhte ndonjë rrezik, Shoqëria merrte përsipër të ndihmonte familjet e tyre “sa të rrojnë”. Mësuesit kishin si detyrë të punonin ku t’i dërgonte Shoqëria, për të forcuar te nxënësit “shpirtin e mendjen me mësime e të tjera”.

Facebook Comments

Share This:

Related Posts

  • 100
    Më 27 shkurt të vitit 1897 u botua në Stamboll “Alfabetarja e gjuhës shqipe”, e cila u botua me nismën e atdhetarëve Sami Frashërit, Jani Vretos e Pashko Vasës. Ishte një nga veprimtaritë më të rëndësishme të patriotëve shqiptarë të Stambollit, të cilët më 12 tetor 1879 themeluan “Shoqërinë e…
    Tags: të, në
  • 100
    Universiteti i Prishtinës, rishtazi është bërë me seminar të antropologjisë. Kjo si rezultat i një nisme të Departamentit të Antropologjisë të Fakultetit Filozofik, për themelimin e një tradite ligjërimi universitar antropologjik në formatin e një seminari, transmeton KTV. Ligjëratat e këtij seminari, hë për hë, do të jenë të përmuajshme,…
    Tags: të, në
  • 100
    Të bezdisin zhurmat, apo përtypjet e një personi teksa ha? Nuk shkon në kinema, sepse nuk do të dëgjosh të tjerët të përtypen, ndërsa hanë kokoshka pranë teje? Të bezdis dhe zhurma e ndonjë mushkonje që të kalon pranë? Nëse e gjen veten në këto pyetje, mos u mërzit. Ti…
    Tags: të, në
  • 100
    Politizimi i bordeve të ndërmarrjeve publike, po shihet si një prej faktorëve që po i çon këto ndërmarrje drejt procesit të falimentimit. Përfaqësues të shoqërisë civile të cilët kanë realizuar hulumtime për emërimet në këto pozita, thonë se një dukuri e tillë i ka përcjellë të gjitha qeveritë e deritashme…
    Tags: të, në
  • 100
    Anëtarët e Kuvendit të Komunës së Prizrenit, të enjten, kanë miratuar propozimin e kryetarit Mytaher Haskuka për dhënien në shfrytëzim të dy ndërtesave në pronësi komunale me qëllim të bartjes së një pjese të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit në qytetin e vjetër. Kësisoj me shumicë votash KK-ja e…
    Tags: të, në
Comments