Kulturë

Pse vdiq Jezusi: përqasje historike dhe teologjike!?

Vdekja e Jezusit është ndër ngjarjet më të përfolura ndonjëherë, si dhe një ndër faktet historike më fascinuese. Madje edhe kritikët më të mëdhenj e pohojnë se vdekja e Jezusit në duart e ushtarëve romakë është një fakt i padiskutueshëm historik. Por pse u dënua Jezusi nga Nazareti me vdekje? Cilat ishin arsyet dhe rrethanat historike? Çfarë kuptimi kishte vdekja e tij në aspektin teologjik? Si e shpjeguan këtë ngjarje njerëzit më të afërt të Jezusit? Të katër ungjitë e kanë fokus kryesor vdekjen dhe ringjalljen e Jezusit. Për ta ky ishte thelbi i gjithë mesazhit që ata donin të komunikonin. Më poshtë do t’i konsiderojmë disa nga arsyet historike dhe teologjike të kësaj ngjarje.

Arsyet historike

Ungjijtë na flasin me theks të veçantë për ditët e fundit të Jezusit, për udhëtimin e tij të fundit për Jerusalem, komplotin për arrestimin e tij, arrestimin në kopshtin e Gjetsemanisë, akuzat e rreme ndaj tij, verdikti i blasfemisë nga krerët fetarë, gjykimi para Herodit dhe Ponc Pilatit, rrahjet dhe poshtërimet, shqiptimi i dënimit me vdekje me anë të kryqëzimit dhe deri tek e diela e hershme e varrit bosh. Në mesin e zhvillimit të gjitha këtyre sekuencave të kësaj ngjarje gjejmë arsyet historike dhe teologjike. 
Krerët fetarë të asaj kohe ja kishin vërë syrin Jezusit dhe donin ta hiqnin qafe me çdo kusht. Ata nuk pajtoheshin me mësimet e Jezusit dhe nuk u pëlqente autoriteti i tij. Jezusi ishte kritiku më i madh i tyre. Ata e shihnin Jezusin si kërcënim ndaj pushtetit të tyre sepse ai i kritikonte ata publikisht dhe ashpër. Jezusi ishte bërë halë në sy për ta. Komploti i tyre depërtoi deri në rrethin e ngushtë të ndjekësve të Jezusit, njeri prej tyre (Juda Iskarioti) u shit për tridhjetë monedha argjendi. 
Tradhtia rezultoi në arrestim dhe gjykim para sinedrit. Jezusi u akuzua për blasfemi. U akuzua se kishte pretendime ta shkatërronte tempullin. Ai para tyre pohoi sa ai ishte Mesia i shumëpritur dhe Biri i Perëndisë. Kjo e vulosi fatin e tij dhe krerët fetarë me plotë gojë e shpallen se ky njeri nuk meriton të jetoj. Veç se kishte një problem këtu, ata nuk kishin autoritetin dhe kompetencat për ta ekzekutuar këtë njeri. Ishte pushteti romak i cili i rezervonte këto kompetenca. Ata e kishin ndarë mendjen që ta vrisnin Jezusin, tani çështja është se si ta bënin. Si ta bindin Herodin dhe Ponc Pilatin që Jezusi nga Nazareti meritonte vdekjen. Ata e dinin që pushteti romak nuk toleronte rivalë, kryengritës apo mbretër të vetëshpallur. Të tillët përfundonin të kryqëzuar, si shembull për të tjerët që mund të kenë ambicie të tilla. Ky ishte fati i gjithë atyre që mendonin t’i kundërvihen pushtetit të Cezarit.
Kishte vetëm një opsion, ta bindin pushtetin romak se Jezusi është kërcënim për ta dhe se pretendon të bëhet Mbret i Izraelit. Me këtë akuzë e sollën Jezusin para Herodit dhe Ponc Pilatit. Ata nuk mund të gjenin shkaqe për t’i besuar kësaj akuze. Krerët dhe turma insistonte që Jezusi meritonte dënimin me vdekje por Ponc Pilati nuk ishte i bindur për këtë por iu dorëzua presionit dhe lau duart para tyre si shenjë pafajësie. Ponc Pilati shqiptoi dënimin me vdekje, kërkesë kjo që vinte nga krerët dhe turma që pohonin se nuk kishin Mbret tjetër përveç Cezarit. Shikoni sa ironike është kjo, krerët fetarë të Izraelit dhe turma po e deklarojnë besnikërinë tyre ndaj Cezarit, perandorit dhe pushtuesit të egër romak, ndërsa po e refuzojnë e Mesinë e shumë pritur, shpresa e Izraelit dhe e kombeve.

Arsyet teologjike

Izraeli me shekuj po priste shpresën e ardhjes së Birit të Davidit, Mesisë, që do të ripërtërijë dhe vendos përfundimisht Mbretërinë e Perëndisë. Atëherë kur do të heq qafe gjithë pushtuesit dhe do të sjellë paqe dhe drejtësi. Kjo ishte shpresa e lavdishme e çlirimit dhe e ripërtërirjes. Ishte një shpresë që ishte bartur brez pas brezi, ishte jehonë e gjithë atyre profetëve që kishin pikturuar një të ardhme të tillë të lavdishme. Jezusi e filloi shërbesën e tij duke shpallur se kjo ditë tashmë ka aguar. Ai filloi shërbesën e tij duke thënë: ”U mbush koha dhe mbretëria e Perëndisë është afër. Pendohuni dhe besoni ungjillin”. (Marku 1:15)
Ai shkonte kudo duke mësuar, shëruar dhe çliruar, si pasqyrë e asaj se si duket Mbretëria e Perëndisë. Jezusi ishte një mbret ndryshe dhe mbretëria e Perëndisë është ndryshe nga ato të botës. Ata po kërkonin një Mbret me shpatë që do ta çlironte Jerusalemin. Jezusi shkonte në Jerusalem për t’u përleshur me vdekjen dhe për të triumfuar mbi të në ditën e tretë.
Ky realitet i ri nuk përkonte me pritjet dhe shpresat e krerëve fetar dhe të popullit. Si do ta bëjë këtë Jezusi? 
Në shikim të parë mund të kemi përshtypjen se Jezusi ishte viktimë e xhelozive dhe komploteve të krerëve fetarë të Izraelit dhe e brutalitetit të pushtetit romak. Por nëse i kushtojmë vëmendje gjithë narratives së Ungjijve, shohim që Jezusi kishte paralajmëruar dishepujt e tij disa herë për atë që do të ndodhë në Jerusalem. Tek Ungjilli i Markut (10:33, 34) Jezusi u tha dishepujve ‘Ja, ne po ngjitemi në Jerusalem dhe Biri i njeriut do t`u dorëzohet krerëve të priftërinjve dhe skribëve; dhe ata do ta dënojnë me vdekje dhe do ta dorëzojnë në duar të paganëve, të cilët do ta tallin, do ta fshikullojnë, do ta pështyjnë dhe do ta vrasin, por ai, ditën e tretë, do të ringjallet’.
Kjo ishte shumë e pakuptimtë për dishepujt, nuk mund të imagjinonin që kjo mund të ndodhte. Ata, si gjithë Izraeli, po prisnin një Mbret që do të marshonte drejt Jerusalemit me shpatë dhe me një ushtri për ta përmbysur pushtetin romak dhe për ta rikthyer lavdinë e Davidit dhe të Solomonit. Jezusi iu përgjigj këtyre pritjeve dhe shpresave duke thënë: ‘Sepse edhe Biri i njeriut nuk erdhi që t’i shërbejnë, por për të shërbyer dhe për të dhënë jetën e tij si çmim për shpengimin e shumë vetave’. 
Jezusi po përmbushte misionin e tij, duke sjellë mbretërinë e Perëndisë, jo sipas pritjeve dhe urtësisë njerëzore por sipas planit dhe urtësisë së Perëndisë. Përmes shërbimit, vuajtjes dhe vetësakrificës do të triumfojë mbi pushtetin e errësirës. Apostulli Pal në letrën e tij drejtuar Kishës në Kolos kështu do ta përshkruajë këtë fitore: “dhe mbasi i zhveshi pushtetet dhe principatat, ua tregoi sheshit njerëzve, duke ngadhënjyer mbi ata në të” (Kolosianëve 2:15).
Me anë të vdekjes së tij në kryq dhe ringjalljes nga të vdekurit në ditën e tretë, janë mposhtur pushtete dhe principata më të mëdha se ato romake, armiq më të mëdhenj se ata të Izraelit. Me anë vdekjes dhe ringjalljes së tij, Jezusi ka mposhtur armikun e madh të njerëzimit, vdekjen. I ka dhënë përgjigje problemit të përhershëm të njerëzimit me mëkatin, duke paguar çmimin e lartë për paudhësitë tona. I ka zhveshur pushtetet e errësirës dhe i ka turpëruar botërisht duke ngadhënjyer mbi ta.
Krerët fetarë të judenjëve bashkë me pushtetin romak dhe pushteti i errësirës që qëndronte mbrapa tyre kurdisën komplotin më të tmerrshëm për kryqëzimin e Krishtit. Por në urtësinë e tij Perëndia, bëri që përmes kurthit të tyre të përmbushet plani i tij për shpëtimin e njerëzimit. Me fjalë tjera, kurthi i tyre i ligë njerëzor ra në ‘kurthin hyjnor’, kurth ky që do të çlironte njerëzimin nga kurthi i vet. Vargjet më poshtë na japin një pasqyrë të këtij paradoksi.
“Burra të Izraelit, dëgjoni këto fjalë: Jezusi Nazaretas, njeriu i dëftuar nga Perëndia ndër ju me vepra të fuqishme, me mrekulli dhe shenja që Perëndia bëri ndër ju me anë të tij, siç edhe vetë e dini, ai, pra, sipas këshillit të caktuar dhe të paranjohur të Perëndisë, ju dorëzua juve dhe ju e zutë dhe, me duart e të padrejtëve, e gozhduat në kryq dhe e vratë. Por Perëndia e ka ringjallur, pasi e zgjidhi nga ankthet e vdekjes, sepse nuk ishte e mundur që vdekja ta mbante atë” (Veprat e Apostujve 2:22-24).
“Sepse pikërisht kundër Birit tënd të shenjtë, që ti e vajose, u mblodhën Herodi dhe Ponc Pilati me johebrenjtë dhe me popullin e Izraelit, për të bërë të gjitha ato që dora jote dhe këshilli yt kishin paracaktuar se do të ndodhnin” (Veprat e Apostujve 4:27-28).
Kështu manifestohet urtësia e Perëndisë për të përmbushur qëllimet dhe planet e tij për njerëzimin. Kështu është demonstruar dashuria hyjnore e Perëndisë për secilin njeri, për mua dhe për ty.

Epilogu

Ringjallja nënkuptonte rikrijimin, në ditët e fundit atëherë kur Zoti do të ndërhynte decidivisht për të vendosur lavdinë e vet në mesin e popullit të tij. Ditën kur të vdekurit do të ngrihen në jetë dhe historisë se ia ka rrjedhur deri tani do t’i vendoset një pikë e madhe e shtypit. Kështu kishin folur profetët dhe kjo mbetej shpresa e Izraelit. Por askush nuk priste se ringjallja do të ndodhte në një person që do ta inauguroj fillimin e kësaj epoke. Me ringjalljen e Jezusit kemi fillimin e rikrijimit. Ai është fryti i parë apo prototipi për gjithë ata që kanë vdekur dhe për gjithë krijimin. Tek Zanafilla Perëndia filloi krijimin duke krijuar qiejt dhe tokën dhe e përfundoi duke krijuar njeriun. Ndërsa në Krishtin ka filluar një krijim i ri, këtë herë Perëndia ka filluar me njeriun, me mua dhe me ty, dhe do ta përfundojë me një qiell të ri dhe tokë të re. 
“Prandaj nëse dikush është në Krishtin, ai është një krijesë e re; gjërat e vjetra kanë shkuar; ja, të gjitha gjërat u bënë të reja.” (2Korintasve 5:17)
Ky është Lajmi i Mirë i Pashkës!
Gëzuar Pashka!

Pastor Imir Gashi

Facebook Comments

Share This:

Related Posts

  • 100
    Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, është pritur në një takim nga kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli. Pas takimit, Apostolova ka thënë se ditëve të fundit janë ndërmarrë dy hapa të rëndësishëm për demarkacionin. “I pari, deklarata e presidentëve dhe e dyta marrëveshja mes pothuajse…
    Tags: të, për, dhe
  • 97
    Është mbajtur provimi pranues në disa njësi akademike të Universitetit të Prishtinës "Hasan Prishtina", raporton KTV . Fakulteti Juridik mbetet më i kërkuari nga të rinjtë dhe për 817 vende të lira kanë aplikuar mbi 1000 persona. Gjatë së enjtes provimet pranuese janë mbajtur në Fakultetin Juridik, të Arteve, në…
    Tags: të, për, dhe
  • 97
    Skulpturat lëvizëse bëhen formë e narracionit të së kaluarës në rrënojat e objektit të braktisur. Ringjallin trashëgiminë shpirtërore dhe arkitektonike të një fshati të vogël, por me histori të madhe. Një numër i madh i njerëzve, në mesin e tyre banorë të fshatit Runik, dhe pjesa tjetër të ardhur nga…
    Tags: të, për, dhe
  • 97
    Operatorët e telekomunikacionit në Shqipëri e Kosovë nuk i rezistojnë presionit të BE-së për mosnënshkrimin e marrëveshjes për uljen, deri në heqjen e plotë, të tarifave të roaming në vendet e Ballkanit Perëndimor. Me nismën e BE-së, kjo rezistencë duket se është thyer dhe, së shpejti, qytetarët e Ballkanit Perëndimor…
    Tags: të, për, dhe
  • 97
    Festivali më i madh ndërkombëtar “UNUM” do të mbahet për herë të parë në Shqipëri, derisa plazhi i bukur i Shëngjinit do të jetë hapësira ku do të organizohen aktivitetet e shumta të këtij festivali. Festivali do të zgjasë 4 ditë, dhe do të vendoset tek “Rana e Hedhun” në…
    Tags: të, dhe, për
Comments