Sot do të vazhdojmë me një tjetër nga thëniet e Jezusit në kryq. Këtë herë ndalemi te thënia e dytë, ajo që Jezusi i tha kriminelit të penduar: “Sot do të jesh me mua në Parajsë.”
Në kapitullin 23 të ungjillit sipas Lukës, përshkruhet me një thellësi prekëse ora e fundit e jetës së Krishtit, momentet para kryqëzimit dhe reagimet e atyre që ndodheshin rreth tij.

26 Ndërsa po e çonin, kapën njëfarë Simoni nga Kirena, që po kthehej nga fusha, e ngarkuan me kryqin që ta mbarte pas Jezusit.
27 Dhe e ndiqte një turmë e madhe populli dhe disa gra që hidhëroheshin dhe vajtonin për të.
28 Por Jezusi u kthye nga ato dhe u tha: ”O bija të Jeruzalemit, mos qani për mua, por qani për veten tuaj dhe për fëmijët tuaj.
29 Sepse ja, do të vijnë ditët kur do të thuhet: “Lum gratë shterpe dhe lum barqet që nuk kanë pjellë dhe gjinjtë që nuk kanë mëndur!”.
30 Atëherë do të fillojnë t’u thonë maleve: “Bini përmbi ne!”, dhe kodrave: “Na mbuloni!”.
31 Sepse, në se bëhet kështu me drurin e njomë, ç’do të bëhet me të thatin?”.
32 Dhe dy të tjerë, që ishin keqbërës, i prunë bashkë me të, për t’i vrarë.
33 Dhe kur arritën në vendin që quhet ”Kafka”, aty e kryqëzuan atë dhe keqbërësit, njërin në të djathtë dhe tjetri në të majtë.
34 Dhe Jezusi tha: ”O Atë, fali ata sepse nuk dinë ç’bëjnë”. Pastaj, pasi i ndanë rrobat e tij, hodhën short.
35 Dhe populli rrinte aty për të parë; dhe kryetarët me popullin e përqeshnin, duke thënë: ”Ai i shpëtoi të tjerët, le të shpëtojë veten, po qe se me të vërtetë është Krishti, i zgjedhuri i Perëndisë”.
36 Edhe ushtarët e tallnin, duke iu afruar dhe duke i ofruar uthull,
37 dhe duke thënë: ”Nëse ti je mbreti i Judenjve, shpëto veten”.
38 Përveç kësaj përmbi kryet e tij ishte një mbishkrim me shkronja greke, latine dhe hebraike: “KY ÉSHTÉ MBRETI I JUDENJVE”.
39 Tani një nga keqberësit e kryqëzuar e shau duke thënë: ”Nëse ti je Krishti, shpëto vetveten dhe neve”.
40 Por ai tjetri duke e përgjigjur e qortoi duke i thënë: ”A s’ke frikë nga Perëndia, që je nën të njëjtin dënim?
41 Në realitet, ne me të drejtë jemi dënuar, sepse po marrim ndëshkimin e merituar për ato që kemi kryer, ndërsa ky nuk ka bërë asnjë të keqe”.
42 Pastaj i tha Jezusit: ”Zot, kujtohu për mua kur të vish në mbretërinë tënde”.
43 Atëherë Jezusi i tha: ”Në të vërtetë po të them: sot do të jesh me mua në parajsë”.

Programi Sipas Fjalës – Pastor Ganiu
Ora 13:30

Facebook Comments