LAJMET E FUNDIT

Zyra e Auditimit e Kosovës vazhdon bashkëpunimin me atë të Suedisë

Auditori i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës, Besnik Osmani, dhe zëvendës auditori i Suedisë, Magnus Lindell, kanë nënshkruar sot, në Prishtinë, marrëveshje për bashkëpunim bilateral në mes këtyre dy institucioneve, transmeton Koha.net.

Marrëveshja trevjeçare ka për qëllim shkëmbimin e përvojave institucionale dhe do të ndihmojë Zyrën Kombëtare të Auditimit (ZKA) për forcimin e mëtejshëm të kapaciteteve institucionale dhe zbatimin e standardeve ndërkombëtare për institucionet supreme të auditimit.

Ajo parasheh zhvillimin e aktiviteteve specifike në fushat, si: Auditime të performancës, të rregullsisë (financiare dhe të pajtueshmërisë), lidership, menaxhim të burimeve njerëzore, komunikim dhe planifikim strategjik.

Auditori i përgjithshëm, z. Osmani me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit theksoi rëndësinë që ka për Zyrën Kombëtare të Auditimit vazhdimi i bashkëpunimit me Zyrën Kombëtare të Auditimit të Suedisë, si një institucion senior në fushën e auditimit të jashtëm. Ai me këtë rast u zotua për përkushtimin e personelit të ZKA-së në zbatimin e plotë të marrëveshjes me qëllim të avancimit të mëtejshëm të cilësisë së procesit të auditimit dhe të produkteve të tij.

Lindell, zëvendës auditori i përgjithshëm i Suedisë, vlerësoi arritjet e ZKA-së dhe shprehu gatishmërinë e institucionit të tij për një bashkëpunim afatgjatë me institucionin suprem të auditimit të Kosovës. Ai theksoi që pavarësisht dallimeve kulturore dhe zhvillimore, institucionet e të dyja vendeve e bazojnë punën e tyre në një pako standardesh ndërkombëtare që e qeverisin fushën e auditimit të jashtëm dhe kjo është një bazë e mirë për bashkëpunimin bilateral. Me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes, Z. Lindell mbajti një ligjëratë tematike për lidership për menaxhmentin e ZKA-së.

Bashkëpunimi institucional në mes të dy institucioneve supreme të auditimit daton që nga viti 2011 me fokus në ngritjen e kapaciteteve për audtimet e performancës.

Facebook Comments

Share This:

Comments