Uncategorised

10 Mrekullitë e Krishtlindjes

 

  1. Perëndia është me ne.

Kjo është e vërteta e parë dhe më e mrekullueshme e Krishtlindjes. PERËNDIA ËSHTË ME NE. Bibla thotë, “Fjala u bë mish dhe banoi ndër ne” (Gjoni 1:14).  Ne nuk kemi bërë asgjë për të arritur tek Perëndia por në Krishtin, Perëndia vjen tek ne. Nëse jeni ndjerë ndonjëherë sikur Perëndia është indiferent apo se ai nuk kujdeset për ju, kujtoni historinë e Krishtlindjes. Kujtoni se Perëndia ju ka ndjekur ju në Krishtin dhe ai ende vazhdon ta bëjë këtë gjë. Ne nuk adhurojmë një Perëndi të largët por një Perëndi që banon në ne, Perëndinë që bën shtëpinë e Tij në mesin tonë, Perëndinë që është Emanueli, Perëndia me ne! ““Ja, virgjëresha do të mbetet shtatzënë dhe do të lindë një djalë, të cilit do t’i venë emrin Emanuel, që do të thotë: “Zoti me ne”. (Mateu 1:23)

Lutje: Zot, faleminderit që je gjithmonë me mua. Ti më premton që asnjëherë nuk më lë, asnjëherë nuk më braktis. Kur jam i tunduar të dyshoj praninë tënde, më kujto se në Krishtin, ti erdhe tek unë. Në emrin e Jezusit, Amen.

  1. Perëndia nuk na ka harruar.

Kur erdhi Krishti, populli i Zotit nuk kishte dëgjuar një fjalë prej tij për shekuj me radhë. Në fakt, libri i fundit i Dhjatës së Vjetër, Malakia, ishte shkruar rreth vitit 440 – 400 para Krishtit. Populli kishte një dëshirë të zjarrtë për të dëgjuar nga Perëndia, duke pritur që Ai të përmbushte premtimet e tij. Në momente të tilla pritjeje, zakonisht është tunduese të mendosh se Perëndia na ka harruar. Këngët që flasin rreth lindjes së Jezusit tek Luka 1 japin mesazhin se Perëndia nuk e ka harruar popullin e tij. Maria këndon,  “Ai e ndihmoi Izraelin, shërbëtorin e vet, duke i kujtuar për mëshirën e tij” (Luka 1:54)Profeti Zakaria këndon, “për të treguar mëshirë tek etërit tanë e për t’u kujtuar për besëlidhjen e tij të shenjtë, betimin që i bëri Abrahamit, atit tonë: (Luka 1:72–73). Perëndia “kujtoi” mëshirën e tij, besëlidhjen dhe premtimet. Kur Bibla thotë se Perëndia “kujton”… nuk do të thotë thjesht se dicka i vjen në kujtesë apo se ai ka harruar dicka. Kjo nënkupton se ai po vepron. Në historinë e Krishtlindjes, ne shikojmë Perëndinë të kthejë vëmendjen e tij drejt premtimeve të Tij dhe ti plotësojë ato për të përmbushur fjalën e Tij. Ne shikojmë Perëndinë në mëshirën e tij të mendojë për ne duke na dërguar Krishtin për të na shpëtuar. Prandaj merr zemër – Perëndia nuk të ka harruar! “A mundet një grua të harrojë foshnjen e gjirit dhe të mos i vijë keq për fëmijën e barkut të saj? Edhe sikur ato të të harrojnë, unë nuk do të harroj. Ja, unë të kam gdhendur mbi pëllëmbët e duarve të mia; muret e tua më rrinë gjithnjë para syve. (Isaia 49:15–16).

Lutje: Zot, faleminderit që gjithmonë mendon për mua. Shpesh tundohem të besoj se Ti më ke harruar. Më ndihmo të kujtoj dorën tënde dashamirëse dhe kujdesin tënd cdo ditë. Në emrin e Jezusit, Amen.

  1. Perëndia kupton.

Në Krishtlindje, ne kujtojmë se Biri i Perëndisë u bë njeri. Ai erdhi në botën tonë me gjithë thyerjen, mëkatin dhe vuajtjen e saj. Jezusi përjetoi të gjitha emocionet njerëzore, tundimet,gëzimet dhe pikëllimet dhe cdo gjë tjetër.  Ashtu si “njeriu i dhembjeve” (Isaia 53:3),Jezusi kupton dhimbjen tonë. Ai nuk është indiferent ndaj përvojave dhe emocioneve tona – Ai i njeh ato. Ai i ka përjetuar. Zoti Jezus mund ti thotë me të vërtetë secilit prej nesh, “Unë të kuptoj.” Prandaj, cfarëdo që të jesh duke kaluar, dije se ti nuk je vetëm. Perëndia kupton dhe Ai ju fton të vini tek Ai për të marrë hirin e tij dhe ndihmën në dobësinë tuaj. “Sepse ne nuk kemi kryeprift që nuk mund t’i vijë keq për dobësitë tona, po një që u tundua në të gjitha ashtu si ne, por pa mëkatuar. Le t’i afrohemi, pra, me guxim fronit të hirit, që të marrim mëshirë e të gjejmë hir, për të pasur ndihmë në kohë nevoje.” (Hebrenjve 4:15–16).

Lutje: Zot, faleminderit që kupton dobësinë time dhe që më jep forcë të kaloj përmes tyre. Faleminderit për hirin tënd, dhe të lutem më ndihmo të mposht sprovat e mia dhe tundimet. Në emrin e Jezusit, Amen.

  1. Perëndia është tejmase madhështor dhe tejet i përulur.

Krishtlindja është një kohë mahnitjeje dhe falenderimi për sakrificën që Zoti ka bërë për të na treguar dashurinë e tij dhe për të na shpëtuar. Krijuesi erdhi në krijimin e tij. Perëndia i qiellit erdhi në tokë. Perëndia i pafundëm u kthye në një foshnje. Zoti, rroba mbretërore e të cilit mbushte tempullin (Isaia 6:1), u kthye në një foshnjë  të mbështjellë me pelena (Luka 2:7). Perëndia i universit, që është i pranishëm kudo, nuk kishte vend ku të lindte. Biri i Perëndisë la fronin e tij në qiell, rrethuar nga një numër i pafundëm engjëjsh që lavdëronin, për të ardhur në tokë ku do të merrte në fund kurorën me gjemba dhe dëgjonte turmat të thërrisnin ‘Kryzëqojeni atë!’ (Marku 15:13). Në Krishtlindje, ne qëndrojmë të mahnitur ndaj madhështisë dhe përulësisë së Perëndisë. Ai nuk erdhi me fuqinë e mbretërve por në përulësi tek barinjtë në një qytet të vogël në errësirë.  Zoti vjen tek ne jo me një grusht zemërimi, duke thirrur nga qielli, por vjen me një dorë të hapur dhe një thirrje të pafajshme nga një grazhd.  “ Dhe ajo lindi djalin e saj të parëlindur, e mbështolli me pelena dhe e vendosi në një grazhd, sepse në han nuk kishte vend për ta.” (Luka 2:7).

Lutje: Zot, ti je i pafundëm në fuqi dhe sidoqoftë ti ke përulur veten e je bërë njeri për të kërkuar dhe shpëtuar mua. Do të duhet e gjithë përjetësia për të kuptuar dashurinë tënde të pamasë.  Faleminderit për dashurinë tënde të pamasë. Lutem në emrin e Jezusit, Amen.

  1. Perëndia punon në errësirë.

Pse erdhi Jezusi? Si do ti përgjigjeshe kësaj pyetje? Shumë njerëz mund të thonë, “për të na shpëtuar” ose “për të treguar dashurinë e Perëndisë” ose dicka të ngjashme. Kjo është e vërtetë. Por apostulli Gjon tregon një arsye të qartë se pse erdhi Jezusi. Ai tha, “prandaj është shfaqur Biri i Perëndisë: për të shkatërruar veprat e djallit.” (1 Gjoni 3:8) Menjëherë pas rënies, Perëndia bëri një premtim. Ai i tha gjarprit (djallit) se nga fara e Evës do të dalë dikush që do të shtypë kokën e gjarprit (shiko Zanafillën 3:15)  Kjo është referenca e parë për lajmin e mirë të një Shpëtimtari që do të shkatërronte veprën e djallit dhe do të na shpengonte.  Krishtlindja atëherë na kujton se edhe në botën tonë të thyer dhe në errësirë, mëkat dhe ligësi – Perëndia vazhdon të punojë, duke sjellë dritë për ata që janë në errësirë.  “Populli që ecte në terr pa një dritë të madhe; mbi ata që banonin në vendin e hijes së vdekjes doli një dritë.” (Isaia 9:2).

Lutje: Zot, faleminderit që pavarësisht se sa errësirë mund të jetë, ti je aty. Unë kam gjithmonë shpresë. Kur unë jam në errësirë, i hutuar dhe në nevojë për drejtim në jetën time, të lutem më trego cilën rrugë të ndjek. Dhe më ndihmo që jem një dritë për të tjerët. Në emrin e Jezusit lutem, Amen.

  1. Perëndia ka një lajm të gëzueshëm për gjithë njerëzit.

    Engjëlli u shpalli barinjve: “Mos druani, sepse unë po ju lajmëroj një gëzim të madh për të gjithë popullin.” (Luka 2:10). Lajm i mirë. Gëzim i madh. Për të gjithë njerëzit. Ky është lajmi i mirë i Krishtlindjes i përmbledhur. Lajmi i mirë është se ne kemi një Shpëtimtar, Jezus Krishtin. Dhe ky është lajmi i mirë, jo këshillë e mirë apo mësim i mirë, por lajm i mirë. Kjo do të thotë se diçka ka ndodhur. Perëndia erdhi tek ne në personin e Jezusit. Ai erdhi në botën tonë të vërtetë, në një vend të vërtetë, dhe jetoi me të vërtetë në mesin tonë, dhe vdiq me të vërtetë për mëkatet tona dhe u ringjall me të vërtetë nga vdekja. Dhe ai me të vërtetë na ofron dhuratën e shpëtimit. Ky është lajmi më i mirë. Dhe ky është një lajm për të gjithë njerëzit. Askush nuk është tepër larg hirit të Perëndisë. Krishti na mirëpret të gjithëve, pavarësisht se kush jemi, apo se çfarë kemi bërë. Të gjithë mund të marrim falas dhuratën e shpëtimit të Jezusit. Është dhurata më e madhe që çon në gëzimin më të madh, gëzimin e njohjes së Jezusit, të shpresës së gjallë, të të qenit të birësuar në familjen e Perëndisë dhe se e ardhmja juaj është e sigurt në qiell. “ Por engjëlli u tha atyre: “Mos druani, sepse unë po ju lajmëroj një gëzim të madh për të gjithë popullin; sepse sot në qytetin e Davidit lindi për ju një Shpëtimtar, që është Krishti, Zoti.” (Luka 2:10–11).

Lutje:
At, faleminderit që dërgove Birin tënd për të më shpëtuar. Më ndihmo të gëzohem gjithmonë në shpëtimin tim dhe më jep fjalët dhe mundësinë për tu treguar të tjerëve shpëtimin e mrekullueshëm falas të Perëndisë. Në emrin e Jezusit, Amen.

  1. JEZUS: sepse ai do të shpëtojë popullin e tij nga mëkatet e tyre.

Ne na pëlqen shumë të shikojmë miqtë, familjarët dhe fëmijët tanë të hapin dhuratat me mirënjohje dhe gëzim apo jo? Nuk ka asgjë të ngjashme me ndjesinë që merr kur dikush hap dhuratën e tij dhe gëzohet për të. Dhe në mënyrë të ngjashme, nuk ka asgjë të ngjashme me ndjesinë që përjeton kur merr një dhuratë me kuptim dhe të menduar mirë nga një person i dashur. Pse japim dhurata për Krishtlindje? Sepse kujtojmë se Perëndia është një dhurues i hirshëm. Merrni parasysh pasazhin më të njohur të Biblës, Gjoni 3:16 në këtë prag Krishtlindje… “Sepse Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin, që, kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme”(Gjoni 3:16). Nevoja jonë më e thellë kishte nevojë për dhuratën më të madhe. Dhe dhurata më e madhe që Perëndia mund të na jap është vetvetja. Ja se çfarë bëri Zoti në Krishtlindje. Ai na ka dhënë ne Birin e tij të vetëmlindur për të na shpëtuar nga mëkati. Dhe ashtu si me çdo dhuratë, përgjigja e duhur nuk është të kthesh dhuratën, madje kjo është fyerje. Përgjigja e duhur është ta pranosh atë me gëzim dhe falenderim.  Këtë na thërret Perëndia që të bëjmë me dhuratën e tij falas të shpëtimit, të pranojmë me gëzim Birin e Tij. “Dhe ajo do të lindë një djalë dhe ti do t’i vësh emrin Jezus, sepse ai do të shpëtojë popullin e tij nga mëkatet e tyre” (Mateu 1:21).

Lutje: At, faleminderit për dhuratën e Birit tënd. Nuk ka dhuratë më të madhe që ti mund të më jepje. Ndërsa jap dhe marr dhurata këtë Krishtlindje, më ndihmo të mos heq sytë e mi nga dhurata më e madhe. Në emrin e Jezusit, amen.

  1. Perëndia i mban gjithmonë premtimet e Tij.

Pasazhi i lindjes së Jezusit në Ungjijtë e Mateut dhe Lukës tregon se si kjo ngjarje përmbushi premtimet e shumëpritura të Abrahamit, Davidit dhe profetëve të tjerë.  Ju mund të dëgjoni jehonën e Dhjatës së Vjetër përgjatë historisë së Krishtlindjes, dhe ka pohime të tilla si: “E gjithë kjo ndodhi që të përmbushej fjala e Zotit, e thënë me anë të profetit (Mateu 1:22). Ne shpesh sfidohemi që të presim në Zotin. Ne duam që Ai të veprojë nëpërmjet nesh dhe të përmbushë premtimet e tij… sipas programit tonë. Mbi të gjitha disa nga premtimet e përmbushura në Krishtlindje u parathanë shumë shekuj para se të ndodhnin. Apostulli Pjetër na inkurajon,  “Por, shumë të dashur, mos harroni këtë gjë: se për Zotin një ditë është si një mijë vjet, dhe një mijë vjet si një ditë. Zoti nuk vonon plotësimin e premtimit të tij, siç disa besojnë që ai bën; por është i durueshëm ndaj nesh, sepse nuk do që ndokush të humbasë, por që të gjithë të vijnë në pendim.” (2 Pjetrit 3:8–9). Krishtlindja na tregon se Perëndia është besnik që të përmbush premtimet e tij. Edhe pse mund të mos ndodh në kohën  apo në mënyrën se si dëshirojmë, Perëndia gjithmonë do të veprojë.  Dhe kur Ai vepron është gjithmonë më mirë nga sa mund të planifikonim ne. Ne mund t’i besojmë Zotit dhe kohës së tij. “dhe na ngriti një shpëtim të pushtetshëm në shtëpinë e Davidit, shërbëtorit të vet, ashtu si ai e kishte deklaruar nëpërmjet gojës së profetëve të tij të shenjtë që nga kohët e lashta, që ne të shpëtojmë.” (Luka 1:69–70).

Lutje: Zot, faleminderit që ti je një Perëndi të cilit mund t’i besoj. Ti je besnik që të përmbushësh premtimet e tua. Kur jam i paduruar, më ndihmo të pres në Ty me besim dhe shpresë. Në emrin e Jezusit, amen.

  1. Perëndia është i denjë për gjithë lavdërimin.

Gëzohu botë! Natë e qetë. O natë e shenjtë. Diku në një grazhd. Eja, eja Emanuel. Dhe lista vazhdon. Ne na pëlqen shumë të këndojmë këngë për Krishtlindje apo jo? Ne këndojmë sepse Krishtlindja është një kohë për të festuar, një kohë për të lavdëruar Perëndinë që dërgoi birin e Tij. Ju nuk mund të lexoni historinë e Krishtlindjes pa dëgjuar këngët dhe lavdërimet e popullit të Zotit. Ju mund të lexoni këngën e Maries tek Luka 1:46–55,  ose këngën e Zakarias tek Luka 1:67–79, ose korin e engjëjve që këndonte në lindjen e Krishtit tek Luka 2:13–14. Në lindjen e Krishtit, barinjtë adhuruan Jezusin (Luka 2:20), ashtu si dijetarët (Mateu 2:11). Kur konsideron gjithçka që Perëndia na ka dhënë ne në Krishtin, përgjigja e duhur është lavdërimi. Ai është i denjë për gjithë adhurimin tonë. “Dhe, mbasi hynë në shtëpi, panë fëmijën me Marien, nënën e tij, dhe ranë përmbys dhe e adhuruan. Pastaj hapën thesaret e tyre dhe dhuruan: ar, temjan dhe mirrë.” (Mateu 2:11).

Lutje: Zot, ti je i denjë për gjithë lavdërimin tim! Faleminderit që ke dërguar Birin tënd, për shkak të mëshirës dhe hirit tënd, për shkak të dashurisë së pamasë dhe besnikërisë tënde dhe për shkak të pranisë tënde të vazhduar dhe premtimeve të çmuara. Në emrin e Jezusit, amen.

  1. Jezusi po vjen përsëri për të bërë gjithçka të re!

Adventi nuk ka të bëjë thjesht me të kujtuarit e lindjes së Krishtit në ardhjen e tij të parë, por ka të bëjë gjithashtu dhe me ardhjen e tij të dytë. Ashtu si Izraeli priti ardhjen e Mesias, edhe ne presim me padurim kthimin e Zotit për t’i bërë të gjitha gjërat e reja. Kujtoni vargjet e himnit të dashur të Krishtlindjes, Gëzohu botë, duke pasur në mendje kthimin e Krishtit. “Gëzohu botë, Zoti yt vjen, toka le të mirëpresë Mbretin e saj. Çdo zemër le të përgatisë një vend për të, dhe qielli dhe natyra të këndojnë. Ai botën sundonme hir dhe të vërtetë, me lavdinë e drejtësisë së tij, dhe mrekullitë e dashurisë së tij.” Premtimi i përsëritur i Dhjatës së re është se Jezusi do të kthehet sërish si Mbreti i Mbretërve për të sunduar mbi të gjithë tokën me drejtësi hir dhe të vërtetë. Ne do të banojmë me Të përgjithmonë, do të gëzohemi në mrekullitë e dahsurisë së Tij dhe “Perëndia do të thajë çdo lot nga sytë e tyre; dhe vdekja nuk do të jetë më; as brengë, as klithma, as mundim, sepse gjërat e mëparshme shkuan.” (Zbulesa 21:4). Në botën tonë sot ka shumë frikë, pasiguri dhe pështjellim – kjo është shpresa e madhe e garantuar që kemi në Krishtin! “Kështu edhe Krishti, pasi u dha vetëm njëherë për të marrë mbi vete mëkatët e shumëve, do të duket për së dyti pa mëkat për ata që e presin për shpëtim.” (Hebrenjve 9:28).

Lutje: Zot, faleminderit që më ke dhënë një shpresë të gjallë. Më ndihmo të jetoj në dritën e përjetësisë, duke pritur me padurim kthimin tënd dhe duke i treguar botës mrekullitë e dashurisë tënde. Në emrin e Jezusit, Amen.

Facebook Comments

Share This:

Related Posts

  • 97
      Pas një pauze pandemike, me datën 16 tetor, me Kori Siparantum do të udhëtojmë për në Kroaci. Do të jemi pjesë e garës ndërkombëtare të muzikës korale; XII. International Choir Competition “The Golen Lime of Tuhelj” – Kroaci. Siparantum do të përfaqëson Republikën e Kosovës për herë të parë…
    Tags: të, në, për, dhe, uncategorised
  • 95
    DERI KUR?Isaia 10:4. “Megjithëkëtë zemërimi i tij nuk qetësohet dhe dora e tij mbetet e shtrirë.” Është interesante. Në fillim në kapitullin 9 dhe tani në kapitullin 10 këtë refren e shohim katër herë. Ne shohim natyrën mëkatare të popullit të Perëndisë. Shohim një mungesë vullneti për t’ju larguar mëkatit, një mungesë…
    Tags: të, në, dhe, për, uncategorised
  • 90
    Pyetjet në kohën e vështirësiveNë çdo kohë që ndodh një fatkeqësi natyrore, është e kuptueshme që të vijnë në mendje pyetje të mëdha  për gjëra të tilla si jeta, vdekja dhe pse jemi këtu. Madhësia e vdekjes dhe shkatërrimit të shkaktuar nga tërmete, zjarre, tsunami ose përmbytje zhvendos mendimet tona normale të përditshme, duke…
    Tags: të, në, dhe, uncategorised
  • 87
    Mund ta fitoni betejën sotSepse mendja e mishit është vdekje (arsyetimi pa Frymën e Shenjtë), por mendja e Frymës (Shenjtë) është jetë dhe (shpirt) paqe (tani dhe përgjithmonë). – Romakëve 8:6 Ne jemi në mes të një lufte. Është luftë shpirtërore dhe ne luftojmë kundër sunduesve të përbotshëm të errësirës së kësaj jete, kundër…
    Tags: të, në, dhe, uncategorised
  • 78
    Sipas Fjalës në Radio 7 Kosova, programi më i ri, një inkurajim për ty nga Fjala e Perëndisë, Bibla, për ta kuptuar dhe jetuar. Të ecim Sipas Fjalës, të premten, ora 13:30 dhe ritransmetim të mërkurën, ora 13:30.  
    Tags: të, për, dhe, në
Comments