Kulturë

Albumi i Ermonela Jahos merr çmimin që cilësohet “Oscar” në muzikë klasike

“Anima Rara” i sopranos Jaho është konfirmuar si vepër e jashtëzakonshme, duke triumfuar në kategorinë e muzikës vokale në International Classical Music Awards, që, siç shkruhet në ueb-faqen zyrtare të çmimeve, konsiderohet “Oscar” në fushën e incizimeve të muzikës klasike

Në pesë muaj e fundit, sa herë që është diskutuar për albumet me të mira të muzikës klasike, është përmendur edhe “Anima Rara” i sopranos shqiptare Ermonela Jaho. Kështu ndodhi edhe të mërkurën, kur u ndanë International Classical Music Awards (Çmimet Ndërkombëtare të Muzikës Klasike).

Albumi i sopranos shqiptare u shpërblye si më i miri në kategorinë dedikuar muzikës vokale (“Vocal music”). Jaho u vlerësua për mënyrën e veçantë të këndimit të 14 veprave, nëpërmjet të cilave në albumin e saj eksploron muzikën e mjeshtëruar nga sopranoja italiane Rosina Storchio. Jaho triumfoi në atë që konsiderohet si “Oscari” në botën e incizimeve të muzikës klasike.

Çmimet ndërkombëtare të muzikës klasike për herë të parë janë ndarë më 6 prill të vitit 2011. “ICMA” janë vazhdimësi të atyre që quheshin “Cannes Classical Awards” që për herë të parë u ndanë më 1994. Juria e “ICMA”-s përbëhet nga kritikë të revistave dedikuar muzikës klasike si: “Andante”, “Crescendo”, “Fono Forum”, “Gramofon”, “Kultura”, “Musica”, “Opera”, “Pizzicato”, “Rondo Classic”, “Scherzo” e të tjerë. Pikërisht profesionistë të këtyre mediumeve e vlerësuan Jahon.

Sipas jurisë, zëri i Jahos, vazhdimisht i ngrohtë dhe i fuqishëm, del në pah qetësisht gjatë gjithë incizimit dhe zotëron dinamikën e nevojshme dhe nuancat e larmishme që kërkohen.

“E shkëlqyeshmja soprano shqiptare Ermonela Jaho shpërfaq dramatiken e mjeshtërisë artistike. Karizma e saj dhe aftësia për ta prekur publikun, simpatia emocionale te dëgjuesi, e bën të veçantë të kënduarit e saj magjepsës, që përfiton nga një timbër fort karakteristik dhe i dallueshëm”, është vlerësimi që ia ka bënë juria.

Ndarja e çmimeve u bë përmes një ceremonie online. Çmimi për veprimtari jetësore iu nda sopranos Edita Gruberova nga Sllovakia e që ka performuar nëpër skena të ndryshme botërore për më shumë se 50 vjet.

“Edita Gruberova është një model i dedikimit dhe i një karriere të gjatë e të suksesshme për cilindo këngëtar të ri që dëshiron të ndjekë shembullin e saj”, është vlerësimi që ia ka bërë juria.

Dirigjenti spanjoll, Pablo Heras-Casado, u zgjodh artisti i vitit për repertorin jashtëzakonisht të gjerë që posedon duke filluar nga muzika e Renesancës deri te veprat bashkëkohore. Artisti i ri i vitit u zgjodh pianisti turk Can Cakmur, i cili veç sa ka nisur të lërë gjurmë në botë me virtuozitetin e tij. E, zbulim i këtij viti u konsiderua violinistja gjermane Maya Wichert. Instrumentistja 15-vjeçare u veçua për finesën e saj dhe nuancën që i jep muzikës. Gjithsej në kuadër ICMA-s janë 27 kategori.

Albumi “Anima Rara” doli në shitje më 25 shtator të vitit të kaluar. Aty Jaho ka përfshirë role që shënojnë karrierën e saj, si ato nga “La traviata”, “Suor Angelica”, “Madam Butterfly”. Këtë album ia ka dedikuar sopranos Rosina Storchio, njëra nga sopranot më lirike dhe shprehëse të periudhës “verismo”. “Anima Rara” përfshin vepra të kompozitorëve të ndryshëm, në mesin e tyre edhe ata italianë, si Pietro Mascagni e Ruggero Leoncavallo, Giuseppe Verdi dhe Giacomo Puccini. Për realizimin e albumit “Anima Rara” sopranoja ka bashkëpunuar me kompaninë e njohur londineze të muzikës operistike “Opera Rara”. Më herët Jaho kishte bashkëpunuar me këtë kompani edhe për incizimin e “Le Villi” të Giacomo Puccinit dhe “Zazà” të Ruggero Leoncavallos. Sopranoja, po ashtu, ka incizime të “La traviata”, “Il Trittico”, “Les Contes d’Hoffmann” dhe “Madama Butterfly”, të qasshme në CD.

Sopranoja Ermonela Jaho që nga publikimi i albumit ka kryesuar toplistat. Gazeta britanike “The Sunday Times” në fund të vitit të kaluar e përfshiu në listën e 100 incizimeve më të mira të 2020-s, bashkë me albumin “Future Nostalgia” të Dua Lipës, që zuri vendin e tretë.

“Presto Classical”, kompania lidere për incizime të jazzit dhe muzikës klasike në Britani të Madhe – e themeluar në vitin 1986 – e ka vendosur në vend të dytë në mesin e dhjetë albumeve më të mira të muzikës klasike për vitit 2020. “Gramophone”, revista lidere në botën e muzikës klasike, ka radhitur albumin e sopranos shqiptare në vend të parë në toplistën javore në fillim të tetorit të vitit të kaluar. Atë muaj edhe revista gjermane “Oper!” e shpalli album të muajit.

“Anima Rara”, po ashtu, është radhitur në mesin e “albumeve të jashtëzakonshme të tetorit 2020” edhe nga revista spanjolle “Scherzo”. Bashkë më solo-albumin e këngëtares në atë toplistë zënë vend edhe nëntë albume të tjera. Javën e parë të publikimit “Anima Rara” po ashtu ishte përzgjedhur si albumi i javës nga kompania e njohur e muzikës klasike “Presto Classsical”. Me t’u publikuar u radhit i pari edhe në kuadër të toplistës “Operat që duhet dëgjuar” në “Spotify”, “iTunes” dhe “Deezer”, të publikuara nga “Meine Klassik”, që njihet si shtëpia virtuale për më të rejat nga muzika klasike.

Facebook Comments

Share This:

Related Posts

  • 100
    “Zgjoi” nëpër botë me rrëfimin e gruas nga Krusha e MadheShpjegimi më i thjeshtë do të ishte ky: Një regjisore dëgjon rrëfimin e gruas nga Krusha e Madhe, burri i së cilës është ende në listën e të pagjeturve nga lufta e fundit në Kosovë, e shndërron atë në skenar, skenari bëhet film dhe godet me të parën, në konkurrencë…
    Tags: të, që, në, kulturë
  • 100
    Teatri në prag të rinovimit të gjashtë midis sezonit të punësElektrikja, ujësjellësi, rrjeti i kanalizimit, sanitaria, disa punë demoluese dhe suvatimi janë ndërhyrjet që planifikohet të bëhen këtë vit në ndërtesën e Teatrit Kombëtar të Kosovës. Nëpërmjet një kontrate në vlerë prej 38 mijë e 600 eurosh, Ministria e Kulturës synon që të përmirësojë kushtet në objektin e institucionit më…
    Tags: të, në, që, kulturë
  • 98
    Taulant Mehmeti merr çmim në SHBA, akordohet për albumin e dytë“Pathways To Jazz”, prej se u themelua gjashtë vjet më parë, e kishte të qartë qëllimin e vet: mbështetjen e jazz-muzikantëve në mënyrë që ky zhanër të lulëzojë edhe në vitet në vazhdim e muzika të mbetet e qasshme për të gjithë. Sivjet, kjo organizatë misionin e vet do ta…
    Tags: të, në, që, kulturë
  • 98
    Qena – artisti që solli “yjet dhe hënën” në TeatërFiks 15 vjet pas vdekjes së Muharrem Qenës, nga hiri i kujtimeve të familjarëve, kolegëve e rrethit është artisticizuar në dramë muzikore një rrëfim shqeto për njeriun jonkonformist e jokonvencional të teatrit shqiptar e më shumë sesa kaqËndërrimtar deri në frymën e fundit, Muharrem Qena pati fatin e atyre të…
    Tags: të, që, në, kulturë
  • 97
    “Peja Jazz”, si çlirim prej shablloneve për shpresë e shkrirje distanceOrganizata “Anibar” në fillimet e saj, para 11 vjetësh besonte se animacioni mund të shërbente si një katalizator për të nxitur aktivizmin në shoqëri. Së fundmi i ka hyrë një misioni të ri. Beson se muzika mund të jetë një mënyrë e mirë për të shkarkuar energjinë. Jazzin, stilin që…
    Tags: të, në, që, kulturë
Comments