I fshiva shkeljet e tua….
“I fshiva shkeljet e tua si një re e dendur dhe mëkatet e tua si një mjegullinë; kthehu tek unë, sepse unë të kam shpenguar.”
Mendoni për atë që ky varg përfaqëson në jetën tuaj. kur ne largohemi nga mëkatet tona dhe kthehemi te Perëndia, kur i besojmë Atij për faljen e mëkateve, specifikisht besojmë te Krishti si Ai që pagoi çmimin për mëkatet tona, atëherë me anë të besimit te Krishti, duke u kthyer te Perëndia dhe duke u penduar për mëkatin, duke u larguar nga mëkati dhe duke besuar te Ai, Perëndia thotë: I fshiva shkeljet e tua si një re e dendur dhe mëkatet e tua si një mjegullinë. Mendoni për këtë. A mund ta shihni mjegullën? Jo. Është atje dhe avullon. Zhduket. Kjo është tabloja e mëkateve tona para Perëndisë së shenjtë. Thjesht mendoni për këtë, për mëkatet tuaja, për mosbindjen tuaj ndaj Zotit.
Nuk më pëlqen të mendoj për të gjitha mëkatet në jetën time, por mendoj se kam mëkatuar në mënyra që askush tjetër nuk e di. E megjithatë, Perëndia i di ato dhe me anë të hirit të Tij Ai i fshin dhe kur më sheh mua, kur ju sheh juve, me anë te besimit te Krishti, nuk sheh mëkatin tonë. Ai sheh drejtësinë e Jezusit. Ky është kuptimi i shpengimit. Kur ne qëndrojmë para Perëndisë së shenjtë, çmimi për mëkatet tona është paguar dhe ato janë fshirë. Janë zhdukur si mjegulla. Janë venitur. Perëndi, ne të adhurojmë. Të adhurojmë për këtë realitet sot. Ne të adhurojmë që na fale mëkatin, që na bëre të lirë nga dënimi përfundimtar i mëkatit, nga vdekja e përjetshme. Jezus, ne të falënderojmë që pagove çmimin për mëkatet tona, që tani ne të mund të lutemi nga aty ku jemi, qofshim duke i dhënë makinës, të ulur në punë, në shtëpi vetëm ose me familjen. Kudo që të jemi, ne mund të kthejmë sytë nga Ty në lutje dhe të dimë se me anë të besimit te Krishti Ti i ke fshirë shkeljet tona si një re dhe mëkatet tona si mjegulla, që Ti i ke hequr ato nga ne, që Ti nuk na mban përgjegjës për to. Të falënderojmë, Perëndi. Na ndihmo ta urrejmë mëkatin. Na ndihmo të largohemi nga mëkati. Perëndi, nëse endemi në mëkat, na ndihmo të kthehemi tek Ti menjëherë. Na ndihmo të kthehemi menjëherë te Ti si Shpengimtari ynë me sigurinë që kemi te 1 Gjonit 1, dhe t’i rrëfejmë mëkatet tona duke e ditur që Ti je i drejtë dhe besnik. Na i fal mëkatit tona. Na pastro nga çdo paudhësi.
Perëndi, të falënderojmë që na pastron, më pastron mua, na pastron të gjithëve nga të gjitha paudhësitë. Ne nuk e meritojmë këtë hir. Ne të adhurojmë që i fshive shkeljet tona si një re dhe mëkatet tona si mjegull. Në emrin e Jezusit ne lutemi, amen.
Related Posts
- 91
- 63
- 62
- 62
- 60