Kompozitori nga Kosova shpalos në Kroaci veprën kushtuar bashkëshortes
Kompozitori i njohur nga Kosova, autor i disa veprave orkestrale dhe fitues çmimesh, Ardian Halimi, së fundmi ka marrë pjesë në Festivalin Veror të Dubrovnikut.
Themeluar që nga viti 1950, Festivali Veror i Dubrovnikut organizohet për çdo vit midis datave 10 korrik dhe 25 gusht. Për çdo vit ai prezanton një program të pasur të muzikës klasike, teatrit, operës dhe vallëzimit.
Para publikut të këtij festivali, Ardian Halimi, i cili tash jeton në Gjermani, ndër të tjera, ka prezantuar edhe veprën e tij, “Stille flüstert um uns beide…” (Heshtja pëshpërit përreth ne të dy). Për këtë vepër, në janar të vitit të kaluar, Halimi kishte thënë për KOHËN se atë ia kishte kushtuar gruas së tij, sopranos së njohur Elbenita Kajtazi.
Lidhur me natyrën e saj Halimi kishte treguar se ajo përbehej nga sekuenca të ndryshme që janë të pavarura nga njëra-tjetra, por që lidhen me njëra-tjetrën përmes shtresave të tyre të ndryshme të intensitetit, timbrit, ritmit, dinamikës dhe zhurmave, të cilat të gjitha së bashku rezultojnë në struktura të diferencuara të tingëllimit.
Halimi gjithashtu ka njoftuar se “Stille flüstert um uns beide…”, në shtator të këtij vitit do të transmetohet edhe në radion gjermane “SR2 KulturRadio”.
“Në festival prezantova veprën time orkestrale ‘Stille flüstert um uns beide…’ e cila u interpretua muajin e shkuar nga Orkestra Filharmonike e Radios Gjermane në Saarbrücken, dhe më 29 shtator do të transmetohet në radion gjermane për kulturë “SR2 KulturRadio”, ka bërë të ditur ai.
Por, përveç prezantimit të kësaj vepre, si dhe veprës tjetër “Bildgeschehen”, në Festivalin Veror të Dubrovnikut Halimi kishte mundësi ta takonte edhe dirigjentin e njohur kroat Tomislav Façini.
“Kisha një bashkëbisedim të mrekullueshëm me pedagogun dhe dirigjentit kroat Tomislav Façini dhe ku gjithashtu prezantova edhe veprën time kamertale të titulluar ’Bildgeschehen’ e kompozuar për flaut, violë dhe fizarmonikë”, ka thënë Halimi.
Pjesëmarrja e artistëve në ngjarje të tilla, siç është Festivali Veror i Dubrovnikut, është shumë e rëndësishme, sepse i ndihmon ata të krijojnë përvoja të reja, si dhe të njihen me njerëz të shquar të fushës përkatëse.
Pjesëmarrjen në këtë festival e ka konsideruar të rëndësishme edhe vetë Halimi, i cili ka thënë se për të kjo ishte nder dhe se ndihet i privilegjuar që ka qenë pjesë e një eksperience të tillë.
Pjesëmarrjen e Halimit në këtë festival e kishte bërë të mundur projekti “Synergy”.
“Synergy”, mbështetur nga programi “The Creative Europe program of the European Commission” që bashkon gjashtë festivale të rëndësishme nga rajoni: “KotorArt”, “Ditët e Muzikës së Don Brankos” (Mali i Zi), Festivali Veror i Dubrovnikut (Kroaci), Festivali i Muzikës në Beograd, Festivali i Lubjanës, Festivali “Baroque Vox” (Shqipëri) dhe “Chopin Piano Fest Prishtina” (Kosovë).
Ky projekt synon të forcojë kapacitetet dhe shkëmbimin e njohurive në nivel rajonal dhe evropian, të ofrojë aftësi të reja dhe të lidhë profesionistët e kulturës, kryesisht ata që punojnë në festivalin e muzikës dhe në sektorin e muzikës klasike, për të inkurajuar kompozitorët të shkruajnë pjesë të reja të frymëzuara nga trashëgimia lokale e vendeve partnere, si dhe për të lehtësuar rrjetëzimin dhe bashkëpunimin midis muzikantëve të rinj, kompozitorëve dhe organizatave të muzikës klasike në Ballkanin Perëndimor
Related Posts
- 97Sot është Dita e Alfabetit Shqip, tashmë e shpallur festë zyrtare e Shqipërisë. 22 nëntori ka simbolikë të veçantë dhe specifikon momentin më të madh unifikues të shqiptarëve, në përkujtim të Kongresit të Manastirit, i zhvilluar mes datave 14 deri në 22 nëntor të vitit 1908. Këshilli i Ministrave miratoi…
- 93
- 92“Talentet e kinemasë evropiane të vitit 2021”, ky titull e shoqëron artikullin e fundit të revistës digjitale, “The Hollywood Reporter”, i cili i numëron disa prej filmave evropian që kanë shënuar suksese të jashtëzakonshme gjatë vitit që po e lëmë pas, e ku përfshihet edhe filmi kosovar i regjisores Blerta Basholli,…
- 91Sikur filmi i shkurtër të ishte ndonjë disiplinë garuese sportive, rekordin pa dyshim do ta mbante regjisori Samir Karhoda. Ai debutoi si regjisor me dokumentarin e tij “Në mes”. Me këtë projekt për herë të parë e vuri emrin e Kosovës në konkurrencën zyrtare të “Berlinales”, një prej festivaleve më…
- 90