Kulturë

Libraritë numërojnë pasojat në përballje me pandeminë

Shumica e bizneseve kanë pësuar goditje serioze financiare për shkak të pandemisë, në mesin e tyre edhe libraritë. Disa prej librashitësve kanë bërë thirrje që shteti t’u dalë në ndihmë. Sipas tyre, edhe në rrethana normale kanë vështirësi financiare për të ushtruar veprimtarinë e tyre. Sfidë për ta mbetet mbyllja e vitit, përderisa në këtë përballje janë të vetmuar e larg vëmendjes së institucioneve

Është një kohë e çuditshme për industrinë e librit. Përderisa distanca sociale dhe karantinimi për shumëkënd kanë bërë që njerëzit të kthehen nga librat dhe ta vlerësojnë atë, tjetër realitet shpalosin shitësit e librit. Libraritë kanë pësuar nga pandemia. Një mbyllje e dytë për shumë prej atyre që kanë vite në këtë biznes, mund të jetë goditje e fuqishme. E ky vit pa dyshim që do të mbahet në mend si një “vit i mbrapshtë” për industrinë e librit.

Qysh në raportin e gjashtëmujorit të parë, për librarinë “Artini – Toena”, themeluar më 1 tetor të vitit 1997, shifrat qenë zhgënjyese.

“Kemi mbi 50 për qind rënie të shitjeve në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar”, ka treguar pronari i librarisë Jahir Ahmeti. Ai, bashkë me stafin e tij mundohen që t’i shërbejnë sa më mirë klientët.

Me të hyrë në librari vërehen masat. Myshterinjtë, përveç që tregojnë kujdes që të mos përplasen në cepat e vitrinave ku qëndrojnë të ekspozuara libra, mundohen ta mbajnë distancën edhe me njëri-tjetrin.

Përkundër krizës, kjo librari e ka mbajtur të plotë stafin. “Deri tani nuk kemi pushuar asnjë anëtar të stafit”, tregon Ahmeti. Për të ardhmen, tregon se asgjë nuk është e qartë. Ka frikë se edhe bilanci i gjashtëmujorit të dytë nuk do të jetë më i mirë. Shpresat i ka të festat e fundvitit dhe të rikthimi i studentëve.

Libraria e cila gjendet në rrugën “Eqrem Çabej” afër Fakultetit Filologjik, Fakultetit të Shkencave Matematike-Natyrore, atij Filozofik dhe Fakultetit të Edukimit Fizik dhe të Sportit, ka synim pikërisht studentët.

“Mosardhja e studentëve në fakultete ka ndikuar shumë. Po mbesim me shpresën se mos po kthehen studentët fizikisht nëpër salla dhe fakultete në mënyrë që të vijnë dhe të blejnë libra”, ka thënë ai. Mirëpo në mungesë të studentëve, lokacioni çdo herë i favorshëm sikur i është kthyer kundër. Të paktë janë kalimtarët që bien andej. Sipas tij, janë duke kaluar nëpër një çakordim total. Në një situatë ku ekonomia është duke pësuar rënie, libri nuk duket të jetë në listën e gjërave esenciale.

“Është çakorduar edhe blerja e librave nga ana e bibliotekave, institucioneve, nga njerëzit e diasporës që vinin e që ishin një klientelë e veçantë sidomos gjatë verës. Hapja ka qenë ndoshta më e dobët se ajo periudhë gjatë shitjeve online kur vendi ishte në karantinë, pasi që njerëzit akoma kanë droje”, ka thënë ai. Ka shtuar se do t’iu duhet që të përshtaten me situatën dhe të mundohen që të mbijetojnë, gjersa i druhet një mbylljeje të dytë.

Ahmeti ka thënë se libraritë asnjëherë nuk ishin biznes shumë përfitues. Por pandemia dhe neglizhimi institucional ndaj librit tash e dy dekada, sipas tij, i bënë ata që gjithherë të përballen me këso lloj sfidash.

“Tani në kohë pandemie nuk habitem nëse nuk marrim mbështetje. Nuk janë hequr taksat, barrierat e komunikimit në kufi, pra qe 20 vjet nuk është bërë asgjë”, ka thënë Ahmeti.

Gjërat nuk janë më mirë as në qendër të kryeqytetit. Libraria “Buzuku”, e themeluar krahas shtëpisë botuese me të njëjtin emër në vitin 1990, e ka një pikë në sheshin “Edit Durham”, mes sheshit “Zahir Pajaziti” e rrugës “Luan Haradinaj”.

Besian Zeneli nga kjo librari ka theksuar se periudha më e vështirë deri më tani ishte dyjavëshi kur Qeveria ndaloi çdo shërbim, përfshirë këtu edhe shpërndarjen e librit. Sipas tij, në një situatë të tillë rënia e shitjeve ishte e pritshme. Por bilancin do ta nxjerrin në fund të këtij viti.

“Jemi munduar që rënia të mos jetë e madhe ose fatale, jemi përpjekur që të mbajmë hapin me çmime promocionale, me oferta të ndryshme, me zbritjen e shërbimit të postës në rastin kur janë marrë dy apo tre libra, vetëm që të mundohemi ta amortizojmë shkëputjen apo rënien e madhe që mund të ketë pasuar në këtë situatë”, ka thënë ai. Ka shtuar se nëse këtë vit arrijnë që të mbijetojnë, do ta kalojnë një sfidë të madhe.

“Pashmangshëm ka qenë sfidë dhe droja më e madhe është nga ajo që na mbetet tash e tutje. Nëse ndodh përsëri një mbyllje, mendoj se kjo mund të jetë fatale sidomos për librin”, ka thënë ai. Ka shtuar se ndihma e shtetit mund te arsyetohet me dy muaj paga të ndara për fuqi punëtore dhe pakon emergjente.

“Mirëpo sa i përket ndihmës së Ministrisë së Kulturës, e që duhet të jetë drejtpërdrejt te blerja dhe ndihma e botimit të librave, deri tani nuk ka asnjë lëvizje”, ka thënë ai.

MKRS-ja tashmë i ka publikuar përfituesit e thirrjeve për blerje të librit dhe botim të librit.

“Por ky projekt është shpallur në muajin janar dhe është zhvilluar çdo vit. Pra nuk lidhet me pandeminë. E pas pandemisë, MKRS-ja nuk ka ndërmarrë asnjë hap për të ndihmuar botuesit”, ka thënë ai.

Iliriana Hasaj, menaxhere në librarinë “Dukagjini”, ka potencuar se nëse ndodh një valë e dytë, apo nëse rreptësohen masat e Qeverisë dhe vendi hyn në karantinë, ata do të jenë me të përgatitur. Si mësim do t’u shërbejë përvoja e mëparshme. Mbështetës kryesor do ta kenë teknologjinë. Duke përdorur sistemin online të shitjeve, Hasani ka thënë se do t’i mbajnë lexuesit afër.

“Gjatë karantinës nuk janë ndalur dëshira dhe kërkesa për libër e ndoshta të paktën i ka nxitur edhe më shumë që t’i lexojnë, por për ne është ndier mungesa e takimit në hapësirat e librarisë. Në krahasim me vitin e kaluar, ditët e para kur jemi rihapur ka qenë një rënie, por tani e vërejmë një numër pak a shumë të njëjtë”, ka thënë Hasaj.

Facebook Comments

Share This:

Related Posts

  • 100
    Vepra “Një lule” e Memli Kelmendit do të interpretohet nga tri kore të vendeve evropianeNë rrethana normale, kjo sallë do të ishte e mbushur plot, e koristët do të bëheshin gati për të marrë rrugën për në Belgjikë. Por, kori “Siparantum” duke iu përshtatur kushteve të pandemisë, ka vendosur që provat t’i mbajë me grupe të vogla e performancën ta dërgojë virtualisht në “Festivalin…
    Tags: të, në, ka, që, kulturë
  • 95
    Elbenita Kajtazi - soliste në festivalin ku debutoi si artiste e reSopranoja Elbenita Kajtazi ka nisur përgatitjet për festivalin ku para pesë vjetëve u paraqit si artiste e re. Kajtazi tashmë nga Festivali nuk konsiderohet një soprano e re me potencial të jashtëzakonshëm. Ka marrë epitetin e sopranos së jashtëzakonshme që po lë gjurmë në skenën operistike. Është në mesin e…
    Tags: në, të, ka, që, kulturë
  • 95
    “PoDuArt” me ngjyra e stile për pasurimin skenës artistikeMbledhja për herë të parë pranë Batllavës, ka motivuar një grup të vogël piktorësh ta shkrijnë imagjinatën e tyre në art pamor. Shoqëruar nga rrezet e diellit të vjeshtës, si dhe bukuritë e kodrave që rrethojnë liqenin artificial, piktorët kanë përvjelë mëngët dhe kanë krijuar piktura të cilat më pas…
    Tags: të, në, që, ka, kulturë
  • 95
    “Recetë kuzhine” si realitet dualist brenda katër murevePër ta pasqyruar jetën e grave shqiptare, artisti Arianit Beqiri nuk e ka kaluar pragun e shtëpisë. Tri prej veprave të ekspozitës së tij janë realizuar brenda shtëpisë. Një fotografi e nënës së tij rri në pjesën qendrore të ekspozitës. Është pikërisht para kuzhinës. Të qenit amvise, sipas Beqirit, i…
    Tags: të, në, që, ka, kulturë
  • 95
    Nis transformimi i NEWBORN-it me synimin për një tjetër imazh të luftësTemperaturat kanë shënuar minus 7 gradë celsius mesditën e së dielës. Përkundër të ftohtit, disa vullnetarë kanë qëndruar afër NEWBORN-it që tashmë i është lyer baza me ngjyrë krem. Ata kanë mirëpritur qytetarët dhe i kanë udhëzuar sesi të linin gjurmët e duarve në monument. Në mesin e disa prej…
    Tags: të, ka, që, në, kulturë
Comments