Kulturë

“PoDuArt” me ngjyra e stile për pasurimin skenës artistike

Mbledhja për herë të parë pranë Batllavës, ka motivuar një grup të vogël piktorësh ta shkrijnë imagjinatën e tyre në art pamor. Shoqëruar nga rrezet e diellit të vjeshtës, si dhe bukuritë e kodrave që rrethojnë liqenin artificial, piktorët kanë përvjelë mëngët dhe kanë krijuar piktura të cilat më pas i kanë prezantuar në edicionin e parë të kolonisë së artit pamor “PoDuArt”, që u mbajt fundjavën e kaluar në fshatin Orllan të Komunës së Podujevës.

Për piktorin, Hajrush Fazliu, organizime të tilla janë pasurim i vlerave të artit pamor në vend. Ai me anë të brushës ka zgjedhur të formësojë tri figura të njerëzve të cilat janë të paidentifikueshme. “Në këto koloni ka një lloj gërshetimi të stileve dhe teknikave dhe aty shihet identiteti i një artisti. Unë pikturova tri vepra në teknikën akrilik, kryesisht vepra të orientuara me një profil që i kam pagëzuar ‘Profile llapjane’ . Kam sjellë piktura që kanë ngjyra me përplot energji. Kjo koloni duhet të merret si shembull që të organizohet edhe në trevat e tjera shqiptare”, ka thënë Fazliu, ligjërues në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës, “Hasan Prishtina”.

Organizatorja e kolonisë “Po duart”, Dije Bllaca, ka theksuar se me këtë ngjarje kanë hedhur hapat e parë për ta ringjallur artin pamor në Podujevë. Sipas saj, kolonia mëtohet të bëhet tradicionale.

“Kjo koloni përveç që lidhet me emrin e Komunës së Podujevës, ku mbahet ngjarja ‘Po duart’ është edhe një mesazh apo thirrje për artin pamor që pothuajse nuk ndodhë në komunën tonë. Jo në mungesë të artistëve, por në mungesë të hapësirës së galerisë së qytetit për të ushtruar veprimtarinë e tyre. Është edicioni i parë dhe uroj të kemi përkrahje edhe në edicionet vijuese”, ka thënë piktorja Bllaca duke shtuar se koha e pandemisë e ka kufizuar numrin e piktorëve për të qenë pjesë e kësaj kolonie.
Të gjashtëmbëdhjetë piktorët i mblodhën pikturat të cilat i kanë krijuar në njërën nga hapësirat e Orllanit të mbështjellë me koloritin e ngjyrave të vjeshtës, ndërsa ato të dielën pasdite i kanë vendosur në kompleksin “Zahir Pajaziti”, aty ku me anë të ekspozitës kanë shënuar datëlindjen e heroit kombëtar.

Skulptori llapjan, Agron Blakçori, ka kontribuar në formimin e ekspozitës me dy piktura. Ka thënë se mbajtja e kolonive për artistë është rast i mirë që të ndihen të lirë në krijimtarinë e tyre.

“Është bërë një punë e mrekullueshme me i mbledh piktorët në këtë koloni nga qytetet e ndryshme shqiptare. Duhet të synohet që në vitet e ardhshme të vijnë edhe artistë ndërkombëtarë. Për një periudhë të shkurtër ky ishte i organizuar mirë ani pse jemi në kohë pandemie. Unë jam skulptor dhe pikturën nuk është që e njoh mirë, por me këtë po u bëj konkurrencë kolegëve që janë mbledhur në këtë koloni”, ka thënë Blakçori, i cili në koloni ka realizuar dy vepra: njëra që paraqet familjen dhe tjetra një hije që sheh drejt së ardhmes.

“Në këto vepra ka elemente nga jeta ime personale. Organizimi i kolonive është i domosdoshëm për artistët pasi që nuk ka kufizim të kreativitetit”, ka thënë Blakçori.

Nga Tirana për t’iu bashkuar karvanit të pikturimit kishte ardhur artistja Jona Dividi, e cila ka realizuar një pikturë si sinonim i gjendjes që ka shkaktuar gjithandej nëpër botë virusi COVID-19.

“Megjithatë, ne artistët jemi ata nismëtarët që duhet t’i themi ‘stop’ ndjenjave negative dhe ‘po’ atyre pozitive, për më tepër duke i transmetuar ato në kompozimet tona. Këtu kam bërë një kompozim që duket si një anije që po del nga furtuna. Po ta marrim nga pjesa krahasimore duket se ne vërtet po dalim nga kjo gjendje pandemie. Ky kompozim del fuqishëm dhe pse jo për të përcjellë atë ndjenjën pozitive që vërtet ne do t’ia dalim”, ka thënë piktorja Dividi.

Muhamet Ahmeti, Agron Blakçori, Saranda Kika Bahtiri, Xhevrije Gashi, Hajrush Fazliu, Sabri Behramaj, Jona Dividi, Naim Spahiu, Lumjeta Havolli, Leonid Palushaj, Refki Gollopeni Arber Kamerolli, Suad Rama, Dije Bllaca dhe Faton Aliu ishin pjesëmarrësit në edicionin e parë të kolonisë “PoDuArt”.

Facebook Comments

Share This:

Related Posts

  • 97
    Artistja i shndërron mbeturinat në vepra arti për ambient të pastërKur bjeshkatarja Kim Kang-eun në rrëpirat e Malit Jiri, më i madhi park kombëtar në Korenë e Jugut, vuri re se ishin të mbushura me hedhurina, gjatë udhëtimit të saj dyditor më 2018, ajo mendoi se ishte koha për të përçuar thirrjen për të pasur më shumë kujdes për natyrën.…
    Tags: të, në, për, që, një, ka, kulturë
  • 95
    Libraritë numërojnë pasojat në përballje me pandeminëShumica e bizneseve kanë pësuar goditje serioze financiare për shkak të pandemisë, në mesin e tyre edhe libraritë. Disa prej librashitësve kanë bërë thirrje që shteti t’u dalë në ndihmë. Sipas tyre, edhe në rrethana normale kanë vështirësi financiare për të ushtruar veprimtarinë e tyre. Sfidë për ta mbetet mbyllja…
    Tags: të, në, ka, që, kulturë
  • 94
    Vepra “Një lule” e Memli Kelmendit do të interpretohet nga tri kore të vendeve evropianeNë rrethana normale, kjo sallë do të ishte e mbushur plot, e koristët do të bëheshin gati për të marrë rrugën për në Belgjikë. Por, kori “Siparantum” duke iu përshtatur kushteve të pandemisë, ka vendosur që provat t’i mbajë me grupe të vogla e performancën ta dërgojë virtualisht në “Festivalin…
    Tags: të, në, ka, që, kulturë
  • 94
    Ramë Lahaj: “Për ty Atdhe” ia kisha borxh Tiranës e ShqipërisëKryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, priti në një takim tenorin e mirënjohur nga Kosova, Ramë Lahaj, i cili me rikompozimin e këngës “Për ty atdhe”, ka sjellë një dhuratë të çmuar për mbarë kombin shqiptar në këtë përvjetor të Pavarësisë së Shqipërisë. Ky 29 nëntor e ka gjetur…
    Tags: të, për, në, që, një, ka, kulturë
  • 94
    “Zgjoi” merr “Hyjneshën e Artë", çmimet kryesore të “PriFestit” i marrin artistët nga Kosova“Prishtinë International Film Festival” ka përfunduar edicionin e 13-të. Një vit i cilësuar si sfidues nga organizatorët kryesisht për shkak të pandemisë, mirëpo edhe sfidave personale që kanë pasur gjatë kësaj kohe drejtuesit e festivalit, regjisori Fatos Berisha dhe producentja Vjosa Berisha. Një javë e jashtëzakonshme me rrethana të pazakonta…
    Tags: të, për, në, një, që, kulturë
Comments