Tek Gjoni kapitulli 6, vargjet 1–14, një turmë e madhe ndoqi Jezusin në një vend të largët ku mijëra njerëz ishin mbledhur. Ndërsa dita kalonte, ata kishin uri dhe dishepujt e panë situatën duke u fokusuar menjëherë tek problemi: kishte shumë njerëz dhe fare pak ushqim.
Pastaj u gjend një djalë i vogël që mbante pesë bukë dhe dy peshq — ndoshta ushqimi i tij i vetëm ose i familjes së tij. Në sytë e njerëzve, ajo që kishte ai dukej shumë pak për të ushqyer një turmë kaq të madhe.
Por Jezusi nuk e pa mungesën. Ai pa mundësinë.
Ajo pak që djali ishte i gatshëm të jepte, në duart e Jezusit u bë mëse e mjaftueshme për të ushqyer mijëra njerëz. Mrekullia nuk filloi me bollëk, por me besim dhe me një zemër të gatshme për të ndarë atë pak që kishte.
Shpesh edhe ne shohim vetëm kufizimet dhe pamundësitë tona. Por Jezusi mund të bëjë gjëra të mëdha me atë pak që ne ia dorëzojmë Atij.
Nuk ka rëndësi sa pak duket në sytë tanë – në duart e Jezusit, çdo gjë mund të shumëfishohet dhe të bëhet bekim për shumë të tjerë.
Folës: Pastor Jeton Sokoli









