Ndërsa po i afrohemi fundit të kësaj jave dhe hyjmë në një javë të re, përpara kemi një nga periudhat më të rëndësishme të besimit të krishterë — Javën e Shenjtë, të njohur edhe si Java e Pasionit.
Kjo javë na rikthen në ngjarjet që përbëjnë kulmin e historisë së shpëtimit: vuajtjen, kryqëzimin dhe ringjalljen e Jezusit pas tre ditësh. Është një kohë reflektimi, përkushtimi dhe rikujtimi të dashurisë dhe sakrificës hyjnore.
Duke filluar nga sot, do të nisim një seri mësimesh që do të na udhëheqin hap pas hapi drejt Pashkës dhe mesazhit të ringjalljes.
Këtë të diel shënojmë Ditën e Palmave — një ngjarje që shpesh anashkalohet, por që mbart një domethënie të thellë shpirtërore. Hyrja triumfuese e Jezusit në Jerusalem është një moment kyç, i dokumentuar në të katër Ungjijtë, dhe shënon fillimin e kësaj jave të shenjtë.
Ju ftojmë të na bashkoheni në këtë rrugëtim, ndërsa përgatitemi për të përjetuar mesazhin e Pashkës.
Folës: Pastor Jeton Sokoli









