Sot do të flasim për një temë që, ndonëse rrallë trajtohet hapur në radio, studio televizive apo debate publike, prek drejtpërdrejt pothuajse çdo shtëpi. Është një temë e vështirë, shpesh e anashkaluar, por jashtëzakonisht reale: ndikimi i tmerrshëm dhe thellësisht negativ i pornografisë në jetën e njeriut, në familje dhe në shoqëri.
Pornografia nuk është thjesht një çështje private apo personale; ajo është një industri gjigante me pasoja të rënda shpirtërore, emocionale, mendore dhe shoqërore. Për këtë arsye, kam bërë një hulumtim të zgjeruar që ofron një pasqyrim të thellë të pornografisë, duke filluar nga ndikimi i saj në jetën individuale, marrëdhëniet familjare dhe martesore, e deri te përmasat e saj në fushën e ekonomisë dhe mënyra se si ajo formëson mendësinë e shoqërisë moderne.
Në programin “Sipas Fjalës”, nën dritën e Shkrimit të Shenjtë, do ta trajtojmë këtë temë me ndershmëri, guxim dhe dhembshuri, jo për të gjykuar, por për të sjellë të vërtetën që çliron, shëron dhe rikthen shpresën. Sepse Fjala e Perëndisë nuk shmang temat e vështira, por i ndriçon ato.
Folës: Pastor Jeton Sokoli









