Prej disa javësh në Radio 7 Kosova po zhvillojmë serinë e mësimeve “Duke zbuluar qëllimin e jetës.” Sot ndalemi në një pyetje thelbësore: Çfarë e shtyn jetën tënde përpara? Cilët janë mekanizmat që e motivojnë jetën tënde? Çfarë e lëviz jetën tënde? Tek Predikuesi 4:4 thuhet: “Pashë gjithashtu se çdo mund dhe çdo sukses në punë buron nga rivaliteti i njeriut me të afërmin e vet. Edhe kjo është kotësi dhe përpjekje për të kapur erën.” Shpesh, ajo që na shtyn përpara është krahasimi dhe gara me të tjerët. Por a është ky motivimi i duhur? A është i qëndrueshëm? Thomas Carlyle ka thënë: “Njeriu pa një qëllim është si një anije pa timon.” Pa qëllim nuk ka drejtim. Pa drejtim nuk ka qartësi. Pa qartësi nuk ka stabilitet. Prandaj pyetja mbetet: A po e jeton jetën tënde i shtyrë nga rivaliteti, apo nga një qëllim i qartë dhe i qëndrueshëm?
Folës: Pastor Jeton Sokoli









