Në programin tonë të fundit kemi folur për krenarinë, përulësinë dhe, mbi të gjitha, për egon tonë. Kemi reflektuar mbi mënyrën se si reagojmë kur lëndohemi, si i shohim gabimet tona dhe sa të gatshëm jemi ta lejojmë Zotin të punojë në zemrat tona.
E përfunduam predikimin me një mendim që na fton në një reflektim të thellë:
“Përulësia fillon kur ndalojmë së pyeturi: ‘Kush më lëndoi?’ dhe fillojmë të pyesim: ‘O Zot, çfarë po ndodh në zemrën time?’”
Në vazhdim të këtij mesazhi, do të shqyrtojmë jetën e mbretit Saul, një histori biblike që na përball me një të vërtetë të rëndësishme: krenaria mund të na pengojë jo vetëm të pranojmë gabimet tona, por edhe të përballemi me atë që Zoti dëshiron të ndryshojë në ne.
Jeta e Saulit na jep një mesazh të fuqishëm dhe një paralajmërim serioz. Çfarë ndodh kur egoja jonë bëhet më e rëndësishme se bindja ndaj Zotit? Çfarë ndodh kur, në vend që të pranojmë të vërtetën, zgjedhim të justifikojmë veprimet tona dhe të mbrojmë imazhin që kemi krijuar për veten?
Përmes historisë së Saulit, do të reflektojmë mbi rrezikun e krenarisë, rëndësinë e bindjes dhe nevojën për një zemër të përulur përpara Perëndisë.
Sepse përulësia nuk do të thotë të mos gabojmë kurrë. Do të thotë të kemi guximin ta pranojmë të vërtetën, të mos fshihemi pas justifikimeve dhe t’i japim Zotit hapësirë të punojë në zemrën tonë.
Pyetja që na mbetet është kjo: A jemi të gatshëm të përballemi me të vërtetën për veten tonë, edhe kur ajo na sfidon krenarinë?
Le të mësojmë nga jeta e mbretit Saul dhe të zbulojmë pse një zemër që refuzon të përballet me të vërtetën rrezikon të humbasë atë që ka më shumë rëndësi: një marrëdhënie të drejtë me Perëndinë.
– Pastor Jeton Sokoli








