Kulturë

Teatri në prag të rinovimit të gjashtë midis sezonit të punës

Elektrikja, ujësjellësi, rrjeti i kanalizimit, sanitaria, disa punë demoluese dhe suvatimi janë ndërhyrjet që planifikohet të bëhen këtë vit në ndërtesën e Teatrit Kombëtar të Kosovës. Nëpërmjet një kontrate në vlerë prej 38 mijë e 600 eurosh, Ministria e Kulturës synon që të përmirësojë kushtet në objektin e institucionit më të lartë teatror në vend, ku ushtron veprimtarinë edhe Baleti Kombëtar i Kosovës.

Rinovimi i gjashtë me radhë që nga paslufta e fundit pritet të nisë në momentin që lejojnë kushtet meteorologjike. Elektrikja, ujësjellësi, rrjeti i kanalizimit, sanitaria e disa punë demoluese dhe suvatimi janë ndërhyrjet që planifikohet të bëhen. Nëpërmjet një kontrate në vlerë prej 38 mijë e 600 eurosh, Ministria e Kulturës synon që të përmirësojë kushtet në objektin e institucionit më të lartë teatror në vend, ku ushtron veprimtarinë edhe Baleti Kombëtar i Kosovës.

Menaxhmenti i Teatrit kishte kërkuar që rinovimi të bëhej gjatë periudhës së pezullimit të aktiviteteve kulturore nga marsi deri në shtator. Kjo kërkesë kishte për bazë faktin se institucioni në atë kohë ishte bosh dhe nuk zhvillohej veprimtari.

Përderisa kompania që ka fituar tenderin për këtë rinovim dhe Ministria e Kulturës janë marrë vesh që puna të fillojë në momentin kur përshtaten edhe kushtet atmosferike, në Teatër dhe në Balet janë duke u zhvilluar aktivitete të rregullta. Në njërën anë ka prova për shfaqjen “Të vdekurit mbajnë zi për atdheun”, me regji të Erson Zymberit, e balerinët mbajnë ushtrimet e rregullta.

Ushtruesi i detyrës së udhëheqësit artistik të Teatrit, Adrian Morina, ka thënë se ka mundësi që punët të aranzhohen në mënyrë që të mos pengohet aktiviteti teatror. “Varësisht se në cilat pjesë intervenojnë, duhet të provojmë t’iu përshtatemi orareve. Edhe pse, të jem i sinqertë, nuk është se kemi ndonjë informacion se ku dhe në çka do të intervenohet”, ka thënë ai. Sipas Morinës, me fondet e ndara për këtë vit mund të intervenohet vetëm në pjesët emergjente, ngase nuk përmbushen nevojat e sektorëve që duhen të rinovohen në TKK.

“Po flasim për një objekt të cilin sa herë bie shi e merr uji, një objekt që në aspektin e sigurisë është larg standardeve minimale, pa gardëroba, dushe, tualete të nevojshme, për një skenë e cila qe 50 vjet s’ka pasur servisim të fugave dhe pjesës teknike. Një objekt me një infrastrukturë elektrike të stërvjetruar. Thjesht, TKK-ja nuk është rinovuar asnjëherë si duhet deri sot. Andaj edhe kërkesat për intervenime janë shumë të mëdha”, ka thënë ai. Sipas tij, duhet pasur parasysh se ndërtesa e TKK-së i mbulon edhe kërkesat e Baletit Kombëtar të Kosovës dhe të secilit aktivitet kulturor që mbahet në Prishtinë.

Sipas përshkrimit të punës që është bërë në tenderin e shpallur nga Ministria e Kulturës, rinovimi përfshin elektriken, ujësjellësin, rrjetin e kanalizimit, sanitarinë dhe punë të tjera të terrenit dhe demolimit.

Burim LLullaku, pronar i kompanisë “Blenor shpk” nga Istogu, ka thënë se me zyrtarët e Ministrisë së Kulturës janë marrë vesh që puna të nisë në momentin që përshtaten edhe kushtet atmosferike.

“Janë disa punë të cilat kërkojnë që të ketë kushte të përshtatshme meteorologjike. Pastaj ka punë edhe në ngrohje dhe që të bëhen ato punë duhet të ndalet ngrohja”, ka thënë ai.

Sipas drejtorit të Departamentit të prokurimit në Ministrinë e Kulturës, Burim Reçica, puna në Teatër do të fillojë shpejt.

“Do të bëhen punime në ambiente të brendshme, kështu që nuk paraqitet ndonjë problem që të nisë puna”, ka thënë ai.

MKRS-ja për vitin që lamë pas kishte paraparë 100 mijë euro për rinovimin e Teatrit Kombëtar të Kosovës. Me rishikim të buxhetit kjo shumë ishte shkurtuar përgjysmë. E për vitin 2021 janë paraparë vetëm 50 mijë euro.

Teatri Kombëtar i Kosovës vazhdimisht ka dërguar kërkesa në MKRS për ta rinovuar objektin.

Ujërat e zeza janë një problem më vete për institucionin më të lartë teatror në vend. “Koha Ditore” ka raportuar disa herë për këtë problem. Vitin e kaluar ka ndodhur që të ndalej edhe puna shkaku se ujërat e zeza kishin vërshuar bodrumin e institucionit. Po ashtu, janë rrezikuar sistemi elektrik e rezervuarët e ngrohjes qendrore.

Deri në këtë sezon TKK-ja është ngrohur me naftë. Në janar të këtij viti gazeta ka raportuar se shpenzimi i 5 mijë litrave naftë për 10 ditë pune nga Teatri Kombëtar i Kosovës ka nxitur dyshime për keqpërdorim të lëndës djegëse për ngrohjen e ndërtesës. Kësisoj, zyrtarëve të Teatrit e edhe atyre të Baletit Kombëtar të Kosovës u kishte lindur dyshimi se nafta ishte duke u keqpërdorur. Rrjedhje nuk shihej të ketë. Dyshime të ngjashme kishte pasur edhe më herët.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Baletit Kombëtar të Kosovës, Kreshnik Musolli, ka thënë se një nga problemet kryesore që i kanë pa dyshim që është ai me sallën ku i mbajnë ushtrimet në çdo ditë pune. Ajo gjendet në bodrum të ndërtesës. Kjo, sipas tij, është një temë që është përsëritur shumë herë, por fatkeqësisht nuk është ndërmarrë asnjë hap konkret për përmirësimin e gjendjes. “Rinovimi duhet të fillojë së pari në hapësirën e cila është shumë e vogël për numrin e balerinëve që kemi dhe për profesionin tonë që ka kërcime të shumta, rrotullime e gjëra të tjera”, ka thënë ai. Derisa e ka përshkruar atë, ka thënë se ajrosja është e nivelit minimal me sistem ventilimi të kualitetit shumë të dobët dhe katër dritaret që hapen shumë pak e nuk qarkullon ajër i mjaftueshëm.

“Problem tjetër është edhe kundërmimi që vjen nga kanalizimi në nivel të sallës që shpeshherë na nxjerr probleme të shumta”, ka thënë ai. Gardëroba e BKK-së është po ashtu në gjendje jo të mirë. Në një rinovim të mundshëm, sipas Musollit, do të duhej të përfshihej edhe ajo.

Për herë të fundit Teatri Kombëtar i Kosovës është rinovuar në verën e vitit 2015. Asokohe gazeta kishte raportuar se graniti i shkallëve e i pushimoreve në hyrje ishte tri herë më i lirë sesa ai që përcaktonte kontrata. Pos kësaj, pushimoret ishin shtruar me granit prej 2 centimetrash trashësi, përderisa kontrata përcaktonte që trashësia të jetë 4 centimetra. Ministria e Kulturës asokohe kishte ndërprerë punimet. Kishte arritur ta detyronte kompaninë që të paktën të ndryshohej trashësia e materialit, por jo edhe kualiteti.

Që nga paslufta e deri më tani objekti i Teatrit Kombëtar të Kosovës është rinovuar pesë herë. Punimet e deritanishme menaxhmenti i TKK-së dhe ai i Baletit Kombëtar të Kosovës, që janë nën një kulm, i kanë cilësuar arnime. Më 2010, në atë që u quajt rinovim, u shpenzuan 150 mijë euro. Rinovimi i parë pas luftës qe ai i vitit 2000, për të vazhduar edhe më 2004 dhe 2007. MKRS-ja kishte parashikuar rinovime edhe në pesë vjetët e kaluar, por ato nuk ishin realizuar.

Facebook Comments

Share This:

Related Posts

  • 100
    “Zgjoi” nëpër botë me rrëfimin e gruas nga Krusha e MadheShpjegimi më i thjeshtë do të ishte ky: Një regjisore dëgjon rrëfimin e gruas nga Krusha e Madhe, burri i së cilës është ende në listën e të pagjeturve nga lufta e fundit në Kosovë, e shndërron atë në skenar, skenari bëhet film dhe godet me të parën, në konkurrencë…
    Tags: të, që, në, kulturë
  • 100
    Albumi i Ermonela Jahos merr çmimin që cilësohet “Oscar” në muzikë klasike“Anima Rara” i sopranos Jaho është konfirmuar si vepër e jashtëzakonshme, duke triumfuar në kategorinë e muzikës vokale në International Classical Music Awards, që, siç shkruhet në ueb-faqen zyrtare të çmimeve, konsiderohet “Oscar” në fushën e incizimeve të muzikës klasike Në pesë muaj e fundit, sa herë që është diskutuar…
    Tags: të, në, që, kulturë
  • 98
    Qena – artisti që solli “yjet dhe hënën” në TeatërFiks 15 vjet pas vdekjes së Muharrem Qenës, nga hiri i kujtimeve të familjarëve, kolegëve e rrethit është artisticizuar në dramë muzikore një rrëfim shqeto për njeriun jonkonformist e jokonvencional të teatrit shqiptar e më shumë sesa kaqËndërrimtar deri në frymën e fundit, Muharrem Qena pati fatin e atyre të…
    Tags: të, që, në, kulturë
  • 98
    Taulant Mehmeti merr çmim në SHBA, akordohet për albumin e dytë“Pathways To Jazz”, prej se u themelua gjashtë vjet më parë, e kishte të qartë qëllimin e vet: mbështetjen e jazz-muzikantëve në mënyrë që ky zhanër të lulëzojë edhe në vitet në vazhdim e muzika të mbetet e qasshme për të gjithë. Sivjet, kjo organizatë misionin e vet do ta…
    Tags: të, në, që, kulturë
  • 97
    “Peja Jazz”, si çlirim prej shablloneve për shpresë e shkrirje distanceOrganizata “Anibar” në fillimet e saj, para 11 vjetësh besonte se animacioni mund të shërbente si një katalizator për të nxitur aktivizmin në shoqëri. Së fundmi i ka hyrë një misioni të ri. Beson se muzika mund të jetë një mënyrë e mirë për të shkarkuar energjinë. Jazzin, stilin që…
    Tags: të, në, që, kulturë
Comments