Çdo ditë me radhë
“Mos merr hua shqetësimet e së nesërmes,
kështu vetëm sa dyfishon pikëllimin,
kështu vetëm sa lodh mendjen
Mos merr hua shqetësimet e së nesërmes,
nëse do të mësosh të ndjekësh,
merre çdo ditë me radhë. “
Shpesh e jetojmë jetën të fiksuar në ngjarjet e së shkuarës, ose duke nxituar në të ardhmen. A nuk do të ishte më mirë t’i merrnim ditën me radhë për ti jetuar ato një e nga një? Kantautori Xhosh Uilson, tregon në këngën e tij më të re se si barrët që mbajmë mbi vete dhe shqetësimet për të nesërmen t’i çojmë në këmbët e kryqit.
Uilson ndan për historinë e këngës: “Ndërsa, meditoja për shprehjen që thotë, “mos merr hua shqetësime,” nisa të thurja vargjet e para të një kënge sa të vërtetë aq edhe sfiduese. Shqetësimet e të sotmes mjaftojnë, ndaj nuk është e nevojshme të marrim hua dhe ato të së nesërmes. Jezusi na thotë të njëjtën gjë tek Mateu kapitulli 6, “Mos u brengosni për të nesërmen, sepse e nesërmja do të kujdeset vetë për vete.” Në vend të shqetësimit, Jezusi na kujton të kërkojmë së pari mbretërinë e Perëndisë.
Që nga fëmijëria e deri më sot vazhdoj të përballem shpesh me ankthin. Madje kam kaluar periudha në jetën time ku kam vuajtur nga sulmet e panikut. Ankthin do ta përshkruaja si një dallgë që nganjëherë është thjesht më e egër se zakonisht. Për këtë arsye nuk mund ta di se kur këto dallgë ankthi do të më godasin më fortë. Por ajo që di dhe për të cilën jam i bindur duke parë në jetën time është se Perëndia ka qenë besnik për të më mbajtur në çdo moment ankthi, në çdo atak paniku dhe në çdo situatë të vështirë me të cilën nuk dija se si të përballesha.
Kam zbuluar se kjo këngë sjell shpresë tek shumë persona që po restaurohen nga një formë varësie në jetën e tyre. Ata thonë, “Çdo ditë me radhë.” Ndonëse të tjerë mund të mos përballen me një varësi nga substancat apo me qëndrime negative, t’i marrësh ditët me radhë nuk ka asgjë të gabuar. Jezusi kurrë nuk na premtoi se jeta do të ishte e lehtë. Në fakt ai tha, në këtë jetë do të keni mundime. Por menjëherë pas kësaj ai na kujton se e ka mposhtur botën. Ndonëse vazhdoj të përballem me ankthin, besoj tek Ai që ka mposhtur botën duke e ditur se ai është me mua në çdo moment të errët. Dëshiroj t’ju them sot se nëse përballeni me ankthin, dyshimin, varësinë, depresionin apo ndonjë betejë tjetër, atëherë le të kërkojmë së bashku mbretërinë e Perëndisë, çdo ditë me radhë.”
Xhosh Uilson është një artist nga Teksasi që filloi të luante në piano në moshën 9 vjeçare, pastaj mësoi kitarën dhe baterinë në moshën 10 vjeçare. Nga ky moment ai nuk e ktheu më kurrë kokën pas. Ai vazhdoi të studionte për muzikë dhe i pëlqente të kompozonte këngë, por kurrë nuk e mendoi se do të ishte pas një mikrofoni. Që me këngët e tij të para të publikuara në radio ai qëlloi në shenjë me mesazhe të bukura dhe këngë që do të kryesonin një sërë klasifikimesh. Ai është i apasionuar pas shumë instrumenteve dhe njihet si artisti që ka luajtur në më shumë se 20 instrumente muzikorë në skenë.