Kulturë

“Zgjoi” nëpër botë me rrëfimin e gruas nga Krusha e Madhe

Shpjegimi më i thjeshtë do të ishte ky: Një regjisore dëgjon rrëfimin e gruas nga Krusha e Madhe, burri i së cilës është ende në listën e të pagjeturve nga lufta e fundit në Kosovë, e shndërron atë në skenar, skenari bëhet film dhe godet me të parën, në konkurrencë e premierë botërore në një alamet festivali.

Por, ka shumë më shumë përtej këtij shpjegimi. Aty u thye heshtja, paragjykimet. E përbrendshmja u nda me të tjerët që botës t’i shpaloset jo vetëm rrëfimi i saj, por i mijëra grave të Kosovës.

“Zgjoi” nën regji të Blerta Bashollit erdhi si vulë suksesi krejt në fund të 2020-s, kur më dhjetor i konfirmua se është në garën zyrtare në festivalin e kategorisë A, “Sundance Film Festival” që do të mbahet prej 28 janarit deri më 3 shkurt. Këtu do të nisë së shkruari historia e këtij filmi. E historia që shkroi filmin, kthehet 21 vjet prapa.



Marsi i 1999-s

25 mars 1999. Atë ditë, Fahrije Hoti e pa për herë të fundit burrin e saj, Bashkimin. Ditën në vazhdim ia sillnin goditjet e radhës. U nda nga e bija e saj tek u bashkua me gra dhe vajza të tjera brenda xhamisë, nën vëzhgimin e forcave paramilitare serbe. Ankthi sa vjen e shtohet. U japin urdhër të nisen për në Gjakovë ku i prisnin varret masive të gatshme për ekzekutimin e tyre. Fahrija më të birin tre muajsh ecte drejt asaj që mendonte se do të ishte vdekja.

“Ka qenë tmerr me e pa një fshat me shtatë mijë banorë, të djegur, të boshatisur, çdo cep duke u kallë”, përshkuan Fahrija, Krushën e Madhe në tmerrin e luftës. Ia doli të bashkohej me vjehrrin dhe vjehrrën. Gjatë rrugës ndeshen me forca të tjera serbe të cilat ia rrahin vjehrrin, Haxhiun të cilin në “Zgjoi” e portretizon Çun Lajçi. Në mes të urës së Rogovës, ia marrin edhe djalin dhe i kërkojnë para. Anëtaret e tjerë paguajnë për jetën e tij e me gjithë këtë, ushtari ia përplas fëmijën përtokë. Për katër ditë foshnja refuzon të hajë.

“Nuk më kanë dhënë beben. E kanë lëshuar në tokë, por e kam marrë sikur kur don me vjedhë diçka edhe me ik, pra fëmijën tim, dhe jam largu”, kujton ajo në një bisedë për KOHË-n, në fund të dhjetorit pak ditë pasi filmi që shkrin rrëfimin e saj, u konfirmua për në festivalin e madh.

Pasi që ishte bashkuar me vajzën e saj dhe anëtarët e tjerë të familjes, të shpëtuar, do të bëheshin tok për t’u vendosur në Shqipëri.

Liria solli shpresë. Kthimi në Krushë të Madhe qe edhe zhgënjim, frikë për të ardhmen. Fshati ishte bërë shkrumb e hi. E, për Bashkimin nuk dihej gjë. Siç nuk dihet sot e kësaj dite. S’u dorëzua. Vendosi të shikojë përpara për hatër të dy fëmijëve.

“Jemi kthyer në shtëpi, e kemi shikuar se cilat janë mundësitë që me e pastru ambientin dhe me iu kthye normales, pavarësisht njerëzve që nuk e dinim se ku ishin. Jemi mundu me e marrë rolin e burrit, me punu”, thotë Fahrija.

Ta niste jetën nga e para s’ishte e lehtë. I duhej të kishte pavarësi, të punonte, t’u siguronte ushqim fëmijëve të saj. Ishte lufta për ta rigjetur fillin e këputur.

Do të niste të merrej me bletë. Edhe sot është e bindur se ato e ndjenin dhimbjen e saj dhe për këtë e sulmonin. Hoqi dorë prej tyre. Nisi të merrej me turshi e ajvar.

Kavanozat ia jepte vjehrrit të saj që t’i shiste në Pazarin e Gjakovës. Pjesën tjetër e reklamonte edhe në një qoshe brenda zyrës së shoqatës “Gratë e veja”, themeluar prej saj më 2003 me synim zbardhjen e fatit të të pagjeturve. Edhe biznesi i ri nisi t’i ecte mirë.

Ky udhëtim kishte edhe një kapitull më vetë. Sulmohej vazhdimisht. Njerëzit s’e linin rehat. E paragjykonin. Aty fokusohet edhe filmi.

Fahrija, 51 -vjeçare e ka parë filmim e jetës së saj. Nuk pret që t’ia ndryshojë jetën edhe kur ta shohin të tjerët.

Një kronikë televizive do të bëhej sebep që regjisorja Blerta Basholli të nisej drejt Krushës së Madhe për ta takuar Fahrije Hotin, gruan sinonim të vuajtjeve të pasojave të luftës por mbi të gjitha, shembull të guximit e mos heqjes dorë. Në filmin “Zgjoi” vjen veç një episod nga jeta e gruas së fortë të Krushës së Madhe e që bëhet personifikim i grave kosovare që përballen me fatin e njëjtë. “Të filmi ka qenë e kompletuar ajo që unë e kam përjetuar”, thotë Fahrije Hoti. “Është grua e jashtëzakonshme”, thotë aktorja Yllka Gashi. “Një tregim suksesi”, e përshkruan filmim e vet, Blerta Basholli

“Te filmi ka qenë e kompletuar ajo që unë e kam përjetuar. Duhet të pranohet realiteti. Ka me pasë paragjykime dhe njerëz që kanë me dyshu ,por duhet publiku që ta kuptojë se ato janë të vërteta. Me të vërtetë kanë ndodhë paragjykimet, pasi që më së shumti filmi lidhet me paragjykime sesa ndoshta me punën dhe të arriturat”, thotë Hoti. Është krenare që dokumenton jetën e saj. Thotë se kushdo që e sheh “Zgjoin” do t’i kuptojë vuajtjet e saj dhe vështirësitë që i ka kaluar. E vetmja brengë që i mbetet është fati i bashkëshortit. “Zgjoi” shkon përtej historisë së Hotit. Është pikërisht siç e thotë edhe ajo – një projekt filmik që përçon imazhin e grave të Kosovës që kanë mbetur të veja dhe fuqinë e tyre për të ecur përpara.

“Pa shikuar prapa, anash, por vetëm përpara”, thotë Hoti me një dozë krenarie.

29 ditë në lëkurën e Fahrije Hotit

Fahrije Hoti mundohet t’i kursejë njerëzit nga vuajtjet e saj. Fokusohet çdo herë të aspektet pozitive. Mundohet të gjejë një dritëz sado të zbehtë, kurdoherë që gjërat përreth saj janë të errëta.

Por, aktorja Yllka Gashi, nuk ngurron që të tregojë se të jetohet në lëkurën e Fahrije Hotit nuk është e lehtë. Për KOHËN ka shpalosur detaje nga ditët e xhirimeve. Ka treguar më shumë për rolin që e pranoi gati një dekade më parë. Ishte takuar me regjisoren në vitin 2011. Po atë vit njohu edhe Fahrijen. E takoi pasi bleu ajvar prej saj.

Facebook Comments

Share This:

Related Posts

  • 100
    Teatri në prag të rinovimit të gjashtë midis sezonit të punësElektrikja, ujësjellësi, rrjeti i kanalizimit, sanitaria, disa punë demoluese dhe suvatimi janë ndërhyrjet që planifikohet të bëhen këtë vit në ndërtesën e Teatrit Kombëtar të Kosovës. Nëpërmjet një kontrate në vlerë prej 38 mijë e 600 eurosh, Ministria e Kulturës synon që të përmirësojë kushtet në objektin e institucionit më…
    Tags: të, në, që, kulturë
  • 100
    Albumi i Ermonela Jahos merr çmimin që cilësohet “Oscar” në muzikë klasike“Anima Rara” i sopranos Jaho është konfirmuar si vepër e jashtëzakonshme, duke triumfuar në kategorinë e muzikës vokale në International Classical Music Awards, që, siç shkruhet në ueb-faqen zyrtare të çmimeve, konsiderohet “Oscar” në fushën e incizimeve të muzikës klasike Në pesë muaj e fundit, sa herë që është diskutuar…
    Tags: të, në, që, kulturë
  • 99
    “Zgjoi” i Kosovës në festivalin australian që tubon fitues çmimesh prestigjioze“Qasja regjisoriale e Bashollit, skenari i fuqishëm dhe aktrimi i shkëlqyer i Yllka Gashit, e që është në qendër të filmit, i sjellin lidhjen me luftën dhe fuqinë e grave në një fokus të mprehtë dhe shpërblyes”, është njëri prej vlerësimeve që “Syndney Film Festival” ia bën “Zgjoit”. Para se…
    Tags: të, në, që, kulturë
  • 98
    Taulant Mehmeti merr çmim në SHBA, akordohet për albumin e dytë“Pathways To Jazz”, prej se u themelua gjashtë vjet më parë, e kishte të qartë qëllimin e vet: mbështetjen e jazz-muzikantëve në mënyrë që ky zhanër të lulëzojë edhe në vitet në vazhdim e muzika të mbetet e qasshme për të gjithë. Sivjet, kjo organizatë misionin e vet do ta…
    Tags: të, në, që, kulturë
  • 98
    Qena – artisti që solli “yjet dhe hënën” në TeatërFiks 15 vjet pas vdekjes së Muharrem Qenës, nga hiri i kujtimeve të familjarëve, kolegëve e rrethit është artisticizuar në dramë muzikore një rrëfim shqeto për njeriun jonkonformist e jokonvencional të teatrit shqiptar e më shumë sesa kaqËndërrimtar deri në frymën e fundit, Muharrem Qena pati fatin e atyre të…
    Tags: të, që, në, kulturë
Comments