“Zgjoi” fitues i dyfishtë në Spanjë, Yllka Gashi lë pas yjet botërore
Yllka Gashi me rolin e Fahrije Hotit në filmin “Zgjoi” ka marrë Çmimin për aktoren më të mirë në edicionin e 66-të të “Valladolid International Film Festival” në Spanjë, duke lënë prapa aktore që në sirtarët e tyre kanë trofetë kulmorë në kinematografi. Filmi, nën regji të Blerta Bashollit, ka marrë edhe çmimin “Fundos”. “Do ta përdor zërin tim sonte për të shprehur një ëndërr që unë si artiste kosovare dhe i gjithë populli im e kemi: që vendet tona të bukura, Spanja dhe Kosova, së shpejti të krijojnë lidhje diplomatike, që Spanja ta njohë Kosovën”, ka thënë Yllka Gashi e pranishme në ceremoninë e ndarjes së çmimeve, të shtunën.
I pandalshëm është “Zgjoi” i Kosovës. Titulli i këtij filmi është në mesin e fituesve të festivalit spanjoll “Seminci” në kategoritë kryesore. Aktorja Yllka Gashi ka marrë Çmimin për aktoren më të mirë, për portretizimin e Fahrije Hotit. Kurse filmi, nën regji të Blerta Bashollit, ka marrë çmimin “Fundos”, që festivali e jep për temën më të mirë sociale që shpaloset si projekt filmik, dhe për filmin që konsiderohet si frymëzim për ndryshime. Me këtë çmim përveç “Zgjoit” është nderuar edhe filmi “Writing with fire”.
“Valladolid International Film Festival” apo siç njihet ndryshe “Seminci” (Semana Internacional de Cine de Valladolid) është festivali i përvitshëm që mbahet në Valladolid të Spanjës. I themeluar në vitin 1956, “Seminci” ka arritur që të jetë një prej festivaleve kryesore ndërkombëtare dedikuar filmit në Spanjë.
“Zgjoi” shpalos rrëfimin e Fahrije Hotit dhe të grave nga Krusha e Madhe. Tregon rrëfimin e një gruaje që me gjithë pengesat krijon një jetë të re për veten e saj dhe për gratë e tjera.
Gashi, e cila ishte e pranishme në ceremoninë e ndarjes së çmimeve, ka thënë se është nder të jetë aty, pasi ekipi ka pasur mjaft vështirësi shkaku i vizave.
“Si shtetas të Kosovës nuk mund të shkojmë në shumë vende të BE-së. Unë nuk e kisha këtë problem, por pjesa tjetër e ekipit e kishte prandaj u falënderohem organizatorëve të Festivalit që na e kanë bërë të mundur të jemi këtu”, ka thënë Gashi, e cila prej vitesh jeton në SHBA.
Related Posts
- 95
- 93Loja në njërën prej pjesëve të serisë së “Études-Tableaux” të Sergei Rachmaninoff dhe “Danse – Tarantelle Styrienne” të Claude Debussy ka bindur jurinë e çmimeve prestigjioze “Golden Classical Music Awards” që pianistja Denita Dedushaj të vlerësohet me Çmimin e parë. Pas vlerësimit të performancave nëpërmjet videove, juria ka vendosur që…
- 92“Talentet e kinemasë evropiane të vitit 2021”, ky titull e shoqëron artikullin e fundit të revistës digjitale, “The Hollywood Reporter”, i cili i numëron disa prej filmave evropian që kanë shënuar suksese të jashtëzakonshme gjatë vitit që po e lëmë pas, e ku përfshihet edhe filmi kosovar i regjisores Blerta Basholli,…
- 90
- 88Sikur filmi i shkurtër të ishte ndonjë disiplinë garuese sportive, rekordin pa dyshim do ta mbante regjisori Samir Karhoda. Ai debutoi si regjisor me dokumentarin e tij “Në mes”. Me këtë projekt për herë të parë e vuri emrin e Kosovës në konkurrencën zyrtare të “Berlinales”, një prej festivaleve më…